Partia FJALA ka mbajtur sot një konferencë me temë “Ndërhyrja e Serbisë dhe ndikimi i kriminelit Radojçiq në qeverinë e Kosovës”, duke e kritikuar takimin e kryeministrit Ramush Haradinaj me Milan Radojçiqin, i cili dyshohet për vepra penale.

Ata kanë pohuar se e kanë parë të udhës që të prononcohen përmes kësaj konference rreth rrjedhës politike në Kosovë dhe ndërhyrjeve të Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Ky subjekt po ashtu e adresoi edhe rastin e serbëve që kanë kërkuar të largohen nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, duke e akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit kosovar.

Kjo parti deklaroi se e kundërshton secilën përpjekje të Serbisë dhe Vuçiqit për të ndikuar në institucionet kosovare.

Më poshtë keni reagimin e plotë të partisë FJALA lidhur me zhvillimet e fundit në vend:

Të nderuar përfaqësues të mediave, qytetarë të nderuar të Kosovës, FJALA e ka parë të rrugës që të prononcohet edhe në këtë formë për shkak të ecurive politike që po ndodhin në Kosovë dhe rreth saj si dhe ndikimet e këtyre ecurive në shtetësinë e saj dhe ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të shtet ndërtimit dhe funksionimit”, pohojnë zyrtarët e kësaj partie.

Ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë 10 vjet më parë, prapë se prapë qeveritë e pas Pavarësisë, nuk po arrijnë të pavarësohen në vendimmarrje dhe nuk po kanë forcë, ndoshta as vullnet, të shtrijnë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës!

Ndikimi i fuqishëm i shtetit serb në vendimmarrjen dhe në institucionet e Kosovës, e dëshmon edhe rasti më i freskët, ku arrestohen 5 serbë nga Policia e Kosovës, të dyshuar për vepra që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe lirimi i tyre pas disa orëve, lirim i cili ndodhi pas kërcënimit të Serbisë se do të ndërpresë dialogun me Kosovën nëse nuk lirohen këta serb!.

Serbët dyshoheshin se po iu bëjnë presion serbëve që janë pjesë e FSK-së, që të dalin nga kjo Forcë, e që presioni i tillë kishte rezultuar me kërkesën e 40 pjesëtarëve të komunitetit serb që të largohen nga FSK! Bile Presidenti serb Aleksander Vuçiq, shkon edhe më tej me presion të hapur ndaj serbëve në FSK duke thënë “nuk do të donim që një serb të gjuante një serb”, deklaratë e cila me një vlerësim adëhok, del si një kërcënim, jo vetëm për serbët që janë pjesë e FSK-së, por edhe për krejt Kosovën!

Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Kosovës dhe cenim i sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit tone.

Andaj, ne FJALA, jemi kundër çdo tentimi që bën Serbia dhe presidenti serb Vuçiq ta fusë ndikimin e vet në institucionet e Kosovës. Ne kërkojmë një reagim konkret nga Qeveria e Republikës së Kosovës duke e ndaluar çdo tendencë të ndikimit të shtetit serb në Kosovë, kjo arrihet përveç tjerash duke eliminuar varësinë e qeverisë nga lista serbe dhe duke e shtruar ndikimin tonë më të thellë në çdo institucion.

Pa dyshim se Kosova ka një Qeveri dhe një Kryeministër që do të duhej të punonin në të mirë të popullit dhe të vendit, do të duhej që të punohet në drejtim të integrimit tonë në strukturat euroatlantike duke realizuar takime bilaterale si në nivel ndërkombëtar si në nivel vendi, me figura që dëshmojnë një qasje evropiane, me figura të pastra dhe me integritet intelektual dhe profesional që do të ishte dëshmi e një vetingu edhe tek ne!

Por ja që kështu nuk mendon Kryeministri Haradinaj, këtë e dëshmon fakti që para disa ditësh u takua me Milan Radojicic, i cili “në letër” është nënkryetarë i Listës serbe, por në anën tjetër është i dyshuar për vepra shumë të rënda penale! Sipas dosjeve të Eulex-it, Radojicic, dyshohet për kontrabandë të naftës, drogës dhe mallrave tjera profitabile, por për më keq ai ka kërcënuar dhe rrahur policë të Kosovës, me një fjalë, Kryeministri Haradinaj takohet me një kriminel klasik!

Ky takim e riaktualizon një të vërtetë që qarkullonte në popull edhe pas ndarjes së Mitrovicës në veri dhe jug ishte se vëllazërim bashkimi i krimit vazhdonte te bashkëjetonte mes serbëve dhe shqiptarve pavarësisht ndarjes.

Nëse kthehemi në retrospektivë të qeverisjes Haradinaj mundë të vërehet shumë qartë pse kryeministri takohet me të tillët. E tërë vendimmarrja e tij në vetvete përmban elemente të krimit. Shpronësimi i shipitullës, Bektell Enka, falja e borxheve të kompanive të ujit, demarkacioni e shumë vendime tjera që kanë elemente për ndjekje penale.

Prandaj ky takim e ka prekur secilin qytetar të Kosovës, dhe pa dyshim se FJALA është kundër çdo influence të kriminelëve, çfarëdo kombësie apo etnie qofshin ata, e veçanërisht jemi kategorikisht kundër që Kryeministri që përfaqëson popullin e Kosovës, të takohet me një kriminel ordiner! Shtrohet pyetja, për çfarë bisedohet me një kriminel? Si diskutohen me te punët që e dërgojnë vendit drejt Evropës dhe integrimeve euroatlantike? Andaj, FJALA i bën thirrje Kryeministrit Haradinaj që të bëj punën e vet në të mirë të popullit, me njerëz të pastër e jo me të atillë që lënë përshtypje të bandave të vjetra kriminale!

Veprimet e kryeministrit si dhe takimet e tij me persona kriminalë të veriut të Mitrovicës në vetvete bart rrezikun e legjitimimit të ndarjes edhe faktike edhe juridike të kësaj pjese të Kosovës. Pranimi i kryeministrit që presidenti Thaçi t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë e mundëson këtë ndarje dhe shtrohet pyetja, takimi me Radojçiqin, a ka të bëjë me miratimin e ndërtimit të murit të ri tek ura e Ibrit i cili simbolikisht e prezanton ndarjen? Para një viti, u rrënua një mur ndarës në Mitrovicë, i cili ndante Veriun e banuar me shumicë serbe dhe Jugun me shumicë shqiptare, por tani ka rifilluar ndërtimi i një muri tjetër, i cili thuhet të jetë në kuadër të revitalizimit të Urës së Ibrit!

Qeveria e Kosovës si duket as këtu nuk po ka qasje, sepse në dukje të parë, betoni që po hidhet në atë mur dhe përmasat e tij që nuk janë aq të vogla, janë jashtë çdo logjike se aty po rivitalizohet diçka, e aq më pak Ura! Por Qeveria vazhdon që të jetë “e qetë” duke lënë gjithçka në duart e serbëve të llojit Radojçiq , duke lejuar ndërtimin e tij në 70 cm të lartë, ndryshe nga marrëveshja që ishte, se muri do të jetë i lartë 40 cm, por serbët nuk pyesin askënd! Qeveria dhe Kryeministri për shkak të varësisë që e kanë nga Lista Serbe, heshtin.

Këto gjera, opozita nuk do të duhej t’i lejonte pa zhurmë, por ja që një opozitë më të madhe në numër dhe më të pa interesuar për punë, nuk e ka pasë Kosova asnjëherë që nga Paslufta!

Në Kosovë po ndodhë ajo që askush nuk do ta donte, as ata që sot nuk janë, e që vdiqën qe ne sot të jemi të lirë e të pavarur! Andaj, ne FJALA, nuk mund të pajtohemi dhe assesi të heshtim karshi këtyre gjerave të turpshme që po bëhen nga Qeveria e Kosovës, e cila po lejon që Serbia të jetë ndikuese në punët e brendshme të Kosovës, bile edhe në integritetin territorial të vendit. Ne tashmë jemi të pavarur dhe të ndarë nga një vend që na i shkaktoi rreth 17.000 viktima dhe nuk është e pranueshme që ai vend të jetë prapë i pranishëm në Kosovë.

Pra, ne si FJALA, jemi kundër kësaj situate në të cilën jemi katandisur me veprimet jo adekuate të qeverive, veçanërisht të kësaj qeverie, si dhe pasivitetin opozitar dhe kërkojmë nga qeveria por edhe nga opozita ta kryejë punën për të cilën janë të obliguar edhe ligjërisht edhe moralisht në të mirë të shtet ndërtimit dhe të funksionimit të shtetësisë në tërë territorin e saj duke punuar me duar të pastërta dhe me njerëz të pastër, sepse për këtë gjë i kanë marrë votat e qytetarëve, qytetarët presin shpagimin e besimit të tyre, e këto sjellje si qeveritare, si opozitare nuk janë gjë tjetër veçse nëpërkëmbje e këtij besimi.