Fjala e parë e Vjosa Osmanit si presidente në Kuvendin e Kosovës ka marrë vëmendjen e posaçme të mediave serbe. Një deklaratë e saj, u ka bërë përshtypje mediave serbe.
Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjithçka që ka bërë në Kosovë.
Osmani tha se “drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të dalin para drejtësisë”.
Në të njëjtën kohë, siç tha ajo, “paqja do të arrihet vetëm kur Serbia të pendohet”.
Ajo tha se dialogu është rruga e duhur, por që Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për të kaluarën.
“FJALËT E GJARPRIT VJOSA OSMANI: Një histori rreth dialogut dhe kërkon që SERBIA TË JETË PËRGJEGJËSE PËR KRIMET”, shkuram mediumi serb “Espreso”.
“Duke iu drejtuar deputetëve, Osmani përsëriti se drejtësia nuk do të vihet derisa “Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë””, shkruan ky medium në krye të tekstit.
Mediumi tjetër serb, “Blic” e titullon shkrimin e saj kështu: RETORIKA E FAMSHME E OSMANIT: Drejtësia nuk do të vihet derisa Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë.
Ndërsa “B92” ka shkruar se Osmani i ka dërguar një mesazh Serbisë.
“Në fjalën e saj të parë para deputetëve, Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për “gjithçka që ka bërë në Kosovë”, thuhet në krye të lajmit që ky medium serb e ka bërë për Osmanin.
Vjosa Osmani u zgjodh dje presidente e Kosovës me 71 vota të deputetëve. Ajo e mori besimin në raundin e tretë të votimit. Që ajo të zgjidhet në këtë pozitë, ndihmuan edhe deputetët e ish-partisë së saj, LDK-së.