I dyshuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë.
Një eksploziv i vendosur në hyrjen e shtëpisë së tij, ishte fatal për kryefamiljarin Haxhi Ahmeti.
Mëngjesin e 14 tetorit të vitit 2018, 61 vjecari nga Smolica e Gjakovës, kishte vdekur pasi eksplozivi kishte shpërthyer.
E dy vite pas, policia e shtetit në Shqipëri, kishte njoftuar se ishte arrestuar një 41 vjeçar nga Shqipëria, i kërkuar lidhur me këtë vrasje.
Pas gjithë kësaj periudhe i dyshuari për këtë rast D.GJ, këtë të hënë është ekstraduar në Kosovë.
Këtë e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, të cilët kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin.
Po, i pandehuri në këtë rast, D. Gj. është ekstraduar dje – 19.04.2021 dhe sot Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, që ndaj të njëjtit të caktojë masën e paraburgimit.
Ekstradimi i të dyshuarit, të cilit familja besojnë që ka kryer vrasjen me porosi, ka lehtësuar familjen Ahmeti.
Ata kanë shpresa që i dyshuari do të pranojë se kush e kishte porositur për të kryer një vepër të tillë.
Ndonëse rasti ka ndodhur në Komunën e Gjakovës, hetimet janë duke vazhduar në Prizren.
Kjo për shkak të një kërkese që e ka bërë avokati i familjes Ahmeti, Ndrec Dodaj.
Gani Ahmeti, djali i viktimës tregon pse kanë kërkuar që rasti të trajtohet diku tjetër.
Brenda familjes Ahmeti kishte pasur edhe një viktimë tjetër, prandaj ata dyshojnë se dorasi është i njëjtë.