Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është finalizuar në Kuvendin e Kosovës, përkundër që në lexim të parë ka kaluar.

Ky projektligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. I njëjti kap vlerën e 385 milionë eurove.

Në po të njëjtin, është paraparë edhe ai për tërheqje e 10 për qind të kursimeve pensionale në Trust. Por, ky Ligj nuk ka arritur ende të miratohet në lexim të dytë.

E për këtë, i njëjti pritet të hidhet sërish në votim në një seancë të jashtëzakonshme gjatë javës së ardhshme. Kështu ka thënë për GazetaBlic edhe shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi.

“Seanca e jashtëzakonshme është e thirrur, por besoj që do të aktivizohet gjatë javës së ardhshme. Nëse do të jemi në rregull, pasi ka disa deputetë që janë me COVID-19 dhe ka përpjekje që ta mundësojnë me thirr seancën”, ka thënë Gashi.

Se që duhet të votohet ky ligj për t’u ringjallur ekonomia e vendit pas dëmeve nga pandemia COVID-19, e kanë thënë edhe ambasdorë të huaj, e po ashtu edhe ekspertë të ekonomisë.

“Tani është koha që të reflektojnë. Ky ligj është i stërvonuar, pasi vendet e rajonit i kanë kryer dhe miratuar strategji për të dalë nga situata me COVID-19. E, këtu në Kosovë ende kemi pakon emergjente dhe atë të Rimëkëmbjes Ekonomike, e që nga marsi e deri më tani janë shpenzuar vetëm mbi 200 milionë euro, me të cilat nuk mund të rimëkëmbet një ekonomi e dëmtuar dhe e politizuar”, ka thënë Safet Gërxhaliu për GazetaBlic.

Duhet potencuar se më 11 nëntor dështoi të zhvillohej seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej në lexim të dytë Projektligji për rimëkëmbje ekonomike. Kjo, për shkak të mungesës së kuorumit.

Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.

Ndërkohë, deri më tani është raportuar se mijëra biznese në Kosovë janë mbyllur si pasojë e pandemisë së koronavirusit./GazetaBlic