Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar tre të miturit për vrasjen e Aulon Zekës.
I mituri i parë është dënuar me nëntë vite burg për kryerjen e veprës penale të vrasjes, e mitura e dytë është dënuar me tri vite për fshehjen e veprës penale, dhe për të miturin e tretë është shqiptuar masa e mbikëqyrjes nga organet e kujdestarisë për 1 vjet e gjashtë muaj moslajmërim të veprës penale.
Pas vendimit të Gjykatës, për Periskopin ka folur babai i Aulon Zekës, Afrim Zeka.
Ai ka thënë se do të ankohet në lidhje me dënimin e vajzës e cila sipas tij, nuk ka marrë dënimin e merituar.
“Me dënimin e vrasesit, po dihet që është maksimumi me ligj të Kosoves, ndërsa sa i përket vajzës do të ankohem që ta marr maksimumin sepse nuk është vendim i drejtë”, tha Zeka.
Babai i të ndjerit ka thënë se ajo vazhdimisht i ka ndërruar deklaratat duke mos dashur ta thotë të vërtetën.
“ E din edhe Gjykata ku gjatë hetimeve dhe seancave gjyqësore gjithnjë i ka ndërruar deklaratat dhe nuk ka dashur qe ta thotë të vërtetën dhe qysh në takimin e parë, ditën e vrasjes ka mundur ta parandaloj. Edhe në restorantin ku punoja ajo ka mundur të vij e të më tregoj se vrasesi ka ble armë pikërisht për Aulonin”, u shpreh ai.
Sipas tij, është kjo dhe shumë gjëra të tjera që ka fshehur rregullisht, që Gjykata është dashur t’i marrë parasysh dhe ta dënoj edhe për ato që kanë ndodhur para vrasjes.
Aulon Zeka u vra më 16 shtator 2017 në Prishtinë.