Bashkë me familjen ishte duke e shikuar finale e Ligës së Kampionëve, përderisa shtëpinë e kishte lënë vetëm. E këtë e shfrytëzuan hajnat të cilët Xhavit Ukajt, ish-deputetit të LDK-së ia vodhën hiç më pak se 100 mijë euro.

Xhavit Ukaj ka treguar për lajmi.net se e gjithë ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në një periudhë kohore prej dy orësh.

Ukaj ka thënë se kishte dalur për ta shikuar ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve bashkë me familjen, duke e lënë shtëpinë vetëm.

“Kjo ka ndodhur në kohën e lojës finales, dhe e kanë shfrytëzuar qaty prej 8:20 deri kah ora 22:20. Ne kemi qenë me vëllazën e djem tu e kqyr ndeshjen, shtëpinë e kemi pas vetëm dhe e kanë kry atë se çka e kanë pas mendjen”, tha fillimisht ish-deputeti i LDK-së.

Tutje Ukaj ka bërë të ditur se veç 100 mijë eurove, i janë vjedhur edhe një sasi e arit. Madje edhe shtëpia është e demoluar.

“ Janë marrë 100 mijë euro pare kesh qysh i kam tërhek nga banka, i kam fakturat të cilat ja kam prezantuar Policisë, edhe diçka ari kanë marrë. E kanë demoluar brenda shtëpinë”, thotë Xhavit Ukaj për lajmi.net.

Policia tashmë ka vazhduar me hetimet, kurse Ukaj ka dhënë deklaratë disa herë.

Në vendin e ngjarjes nuk ka kamera të cilat do të mund të ndihmonin në identifikimin e të dyshuarve.

“Kamera nuk ka, por policia po i kryen procedurat ka shenja. Po jemi në kontakte me policinë, janë tu punu sot masdite kam dhënë deklaratë katër-pesë herë”, përfundoi Xhavit Ukaj.

Ndryshe Ukaj ka qenë deputet i LDK-së në periudhën legjislative që nga viti 2010 deri më 2014.

Ai është pronar i një kompanie që që ka në pronësi disa pika karburanti dhe një supermarket në fshatin Piranë.

Image result for xhavit ukaj LDK 2018