Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, sot ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor në këtë Komunë, raporton Llapi.info
Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, u zgjodh kryetar me vetëm dy vota më shumë se kundërkandidati i tij, Fahri Osmani. Fetahu mblodhi 117 vota, kurse Osmani 115.
Osmani thotë se ka uruar tashmë të zgjedhurin si kryetar, Naimi Fetahun dhe se i ka quajtur të pavërteta pretendimet që asamblistët e kësaj partie do të dorëhiqen pas zgjedhjes së kryetarit të ri.
Ai ka shtuar se diskutimi me të rinj e të reja, me intelektualë e qytetarë të shumtë ka qenë mbresëlënës. Osmani ka falënderuar poashtu të gjithë bashkëpunëtorët që kanë përkrahur atë gjatë këtij procesi zgjedhor.
Më poshtë postimi i plotë i Osmanit:
Të dashur miq,
Në garën time për kryetar të degës së PDK’së, unë kam ndërtuar një ide se si ta avancojmë angazhimin tonë politik në një rrugë me dy qëllime: të fitojmë zgjedhjet dhe të qeverisim mirë.
Kam dhënë nga vetja përkushtimin për të dhënë shembullin e sjelljes së denjë, kulturës demokratike e vlerave intelektuale dhe ndihem mire se ketë e kam arritur. Sot pasi përfunduam zgjedhjet e brendshme, dua të them se diskutimi me te rinj e te reja, me intelektualë e qytetarë të shumtë me themel qytetarie e tradite të mirëfilltë, ka qenë mbresëlënës.
Kam krijuar ekipe të shumta mbështetësish për të cilët ndihem krenar dhe përgjegjës. Sot kuvendi i delegatëve me një dallim të vogël, vendosi ndryshe por PDK sot ka një traditë të jashtëzakonshme të garës demokratike dhe fer që nuk e kishte më heret dhe për mua kjo është një kontribut i madh në procesin e demokratizimit të jetës tonë politike. Falenderoj nga zemra cdo bashkëpunëtor timin, cdo anëtar të vjetër e te rinj të PDK-së, mbi të gjitha secilin qytetar të llapit që më ka shkruar e përkrahur parreshtur. Dua të ju siguroj se angazhimi ynë politik do të jetë i bazuar mbi respektimin e plotë të garës, rregullave dhe ligjeve, përgjegjësive qytetare e intelektuale dhe nuk do të ndalemi së punuari, në çfarëdo roli që e ushtrojmë, për idetë zhvilluese e përbashkuese.
I uroj strukturat e reja të zgjedhura, kryetarin e degës, kolegun tim shumëvjeçar z. Naim Fetahu duke ju dëshiruar suksese dhe mbarësi në detyrat e reja.
Për fund janë te paverteta lajmet e disa portaleve per gjoja largime te grupit te asambleisteve dhe strukturave nga radhet e PDK.
Me Respekt
Fahri Osmani