Screenshot

Ekrem Sadiku, qytetari i cili është arrestuar gabimisht nga Policia e Kosovës për therjen e katërfishtë në Ferizaj ka folur lidhur me arrestimin e tij.

Ai tha ditën kur ka ndodhur rasti ka qenë duke punuar kur është telefonuar nga policia.

Sadiku tregoi edhe trajtimin që mori nga policia ku thotë se ja vranë dorën.

Policia i ka kërkuar edhe thikën me të cilën ishte kryer vepra.

“Njerin e gabum jeni tu e marr”, ka deklaruar Sadiku se i ka thënë policisë.

“Shuj mshele gojën, ku e ke thikën? Veq qët pytje ma bojshin”, tregon tutje ai për Arbresh.info.

Sadiku tregoi edhe për dhimbjet e familjarëve të tij. Po ashtu edhe për kushtet e rënda në të cilën jeton ai dhe familja e tij.

Shefi i hetimeve rajonale të Ferizajt, Muhamet Jahiri ka treguar se si ka ardhur deri te arrestimi i personit të gabuar për therjen e katërfishtë e cila ka ndodhur të hënën në këtë qytet.

Jahiri tha se deri te arrestimi i Ekrem Sadikut janë bazuar në videoincizime dhe përshkrimin e personit.

“Ashtu siç e kemi cekur edhe në komunikata e mëhershme, provat fillestare kanë qenë videoincizimet, ka qenë përshkrimi i personit nga kamerat e sigurisë ashtu edhe lokacionet përreth po ashtu edhe nga disa dëshmitarë okularë që kanë dhënë një përshkrim se personi mund të jetë ky”, tha Jahiri.

“Për shkak të natyrës rastit, për shkak të natyrës urgjente të reagimit, për shkak të izolimit, që të mos na përsëriten ndonjë incident tjetër, ka qenë reagimi fillestar i zyrtarëve policorë në terren kemi pasur të bëjmë me një rast bukur të rëndë, kemi pasur të bëjme me raste në kontinuitet me katër viktima, në tre lokacione të ndara.”, u shpreh ai.

Ai theksoi se të gjitha reagimet e policisë bëhen konform ligjit.

Jahiri tha se policisë i vjen keq që ka ndodh kështu.

“Ne as që e kemi njohur më herët”, tha mes të tjerash ai.