Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë për “Ditën e Gjermanisë”, ndërsa gjatë këtij takimi theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të marrin mandatin e ri.
Thaçi po ashtu theksoi se duan ta bëjnë marrëveshjen historike me Serbinë, që duhet të sjellë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve, si dy shtete fqinje.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës së shpejti do të marrin mandatin e ri të tyre. Natyrisht, gjithmonë duhet ta kujtojmë se këto forca janë bërë në partneritet me Paktin NATO dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ne duam ta bëjmë marrëveshjen historike me Serbinë, që duhet të sjellë njohjen reciproke dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes nesh, si dy shtete fqinje. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se njohjen formale nga Serbia. Njohja reciproke Kosovë-Serbi hap rrugë të sigurt për anëtarësim në BE, për të dy vendet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse, dështimi i arritjes së marrëveshjes dhe mungesa e njohjes reciproke, sipas presidentit Thaçi, nënkupton status-quo dhe vazhdim të konfliktit të ngrirë.