Veriu i vendit është konsideruar si “zona grey”, në aspektin e informalitetit, andaj vendosja e masës mbrojtëse 100 përqind, shtoi brengën se pikërisht në këtë anë do të shtohet kontrabanda.
Por, Dogana e Kosovës shtoi masat e sigurisë menjëherë në regjionin e Mitrovicës.

Kontrollet e antikontrabandës janë duke u zhvilluar 24 orë, raporton KTV.

Njësitet deklarojnë se deri tash nuk ka rritje të sasisë së mallrave që kanë zënë e që në vend kanë hyrë pa iu nënshtruar procedurave doganore.

Gazmend Musliu, udhëheqës i Njësisë së Antikontrabandës, thotë se mallrat arrijnë të kontrabandohen më së shumti nga pikat doganore Jarinje dhe Bërnjak.

Në ndihmë palës serbe për kontrabandë po i dalin shqiptarët të cilët janë më shumë në numër sesa serbët.

Përveç zgjatjes së orarit, dogana ka rritur edhe numrin e ekipeve në teren, në rast se mund të ketë tendencë të kontrabandimit të mallit.

Udhëheqësi i Sektorit Antikontrabandë, Fisnik Visoka, ka treguar se janë krijuar 16 ekipe nga 10 sa ishin më parë.

Nëse masa do të vazhdojë të zbatohet, Visoka ka thënë se mund të shtrohet kërkesa për rritjen e ekipeve tutje.

Gjatë natës të së enjtes, në Mitrovicën e Veriut, dogana ka arritur të zë 21 mijë copë ngjyrë për flokë të markës “Garnier”, në vlerë të 30 mijë eurove.

Sasia është zënë në një kamion me targa të Serbisë.