Trajneri i Llapit, Tahir Batatina njihet për deklaratat e tij interesante, të cilat për shumicën e futbolldashësve janë të ngutura.

Mirëpo, realiteti është në anën e teknikut llapjan. Nga deklaratat e shumëta interesante të Batatinës ishte edhe ajo se Atletico Madridi nuk mund ta mposhtë Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Dhe, në këtë aspekt, Llapi ende nuk e ka shijuar humbjen në këtë stadium që nga renovimi i terrenit.

Llapi ka regjistruar 7 fitore dhe ka vetëm dy barazime. Ndërkohë, humbja e fundit në Podujevë është ajo me Feronikelin e zhviluar më 16 tetor të vitit të kaluar.

Kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund të edicionit të sivjetmë të Vala Superligës, mbetet të shihet nëse Llapi do të shijojë humbjen në ”Zahir Pajaziti”. Llapjanët janë edhe në gjysmëfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës.