Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale, shkruan Llapi.info.
Aty përmenden ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, duke u cilësuar njerëz të lidhur me krimin dhe grupe kriminale.
“Figurat kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ish kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, që luan rol të rëndësishëm në politikë dhe ka ndikim në vendosjen e liderëve kryesorë”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas raportit, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.
Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.
Nga vendet e rajonit gjendja është përkeqësuar në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, situata është e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar.