Disa fshatra të Komunës së Podujevës tash e sa kohë kanë mbetur pa asnjë banor, shkruan Llapi.info.
Mungesa e kushteve elementare si rrugët të paasfaltuara, mungesë e shkollave dhe shërbimeve mjekësore, janë disa nga arsyet që kanë çuar banorët të largohen nga fshatrat e tyre.
Pa banorë është edhe fshati Përpellac, i cili shtrihet në veriperëndim të Podujevës – afër kufirit me Serbinë.
Ky fshat i cili dikur numëronte rreth 20 shtëpi të banueshme, tani është i braktisur i tëri. Mungesa e energjisë elektrike, ka bërë që ky fshat të jetë në qetësi të plotë.
Çështja e punësimit dhe shkollimit dhe problemeve tjera kanë bërë që edhe fshatrat; Muhazob, Surdull, Bllatë dhe Tërrnavicë të mbetën pa banorë.
Të tillë fatin mund ta kenë edhe fshatrat tjera – të cilat gjenden shumë më larg qendrës së qytetit. Në mesin e tyre janë edhe fshatrat Murgull dhe Reçicë.
Rreziku të mos ketë banorë e kanë edhe diku pesë fshatrat në pjesën e Orllanit. Në këto pjesë jetojnë vetëm pak familje.
Edhe fshati Brecë, i cili gjendet 23 kilometra në veriperëndim të qytetit është boshatisur thuajse tërësisht.
Ky fshat i ndarë në dysh, në Brecën e Epërme dhe atë të Poshtme, menjëherë pas luftës numëronte 36 familje. Kurse, sot ky fshat, i cili i përket fisit të Shalës, numëron vetëm katër prej tyre.
Blegtoria dhe Bujqësia janë të vetmet fusha që banorët e këtyre fshatrave merren me to, ndërkohë që edhe kthehen për ta punuar tokën në vendlindjen e tyre./Llapi.info