Me vendim të Ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pjesëtarët e Kompanisë së Kërkim- Shpëtimit në Ujëra të Forcës së Sigurisë të Kosovës ( FSK ), që nga 25 gusht, në orët e pasdites, janë duke marrë pjesë në operacionin për kërkimin e një personi të zhdukur në Liqenin e Batllavës, transmeton Llapi.info.

Sipas njoftimit për media specialistët e FSK-së, qysh mbrëmë nga ora 20:00 e kohës lokale, kanë vazhduar me vlerësimin e situatës dhe kërkimin e personit të zhdukur, deri në orët e vona të natës, dhe sot që nga orët e hershme të mëngjesit janë duke vazhduar operacionin e kërkimit.

“Pjesëtarët e FSK -së janë të gatshëm dhe të përgatitur profesionalisht për misione të tilla. Ata janë të përkushtuar dhe në mbështetje të plotë të autoriteteve civile deri në gjetjen e personit të zhdukur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, dje në orën 16:00 Policia e Kosovës kishte marrë informatë se një person ishte zhdukur në liqenin e Batllavës. Ndërsa kërkimi për të po vazhdon edhe sot./Llapi.info