Qendra e Studimeve Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar ushtrimin fushor “Kampi i Avancuar i QSU-së” në Zhegoc të Gjilanit.
Sipas komunikates, qëllimi i këtij ushtrimi ka qenë përgatitja taktike në operacionet urbane ofensive dhe mbrojtëse, si dhe testimi i gatishmërisë fizike dhe psikike të kadetëve. Gjatë realizimit të ushtrimit fushor, kadetët e QSU-së, u përballen edhe me temat si: operacionet urbane ofensive dhe mbrojtëse, navigim tokësor ditën dhe natën, patrullime, reagimi në kontakt, etj.
“Për të përcjellë nga afër ushtrimin fushor të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare (QSU) ishin: Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Rrahman Rama, Komandanti i Forcave Tokësore Gjeneral brigade Enver Cikaqi, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) gjeneral brigade Irfete Spahiu, zëvendëskomandanti i Brigadës së Mbështetjes Kolonel Avdi Rraci, komandanti i Kampit Bondsteel, koloneli Nick Ducich si dhe oficerë të lartë të FSK-së”, thuhet në komunikatë.
Fillimisht për të pranishmit UD i komandantit të Qendrës për Studime Universitare Kapiten Vegim Krelani, bëri një njoftim rreth angazhimit në ushtrimin fushor, qëllimin e këtij ushtrimi dhe njoftoi të pranishmit për aktivitetet, të arriturat dhe sfidat me të cilat janë përballur kadetët e katër gjeneratave, gjatë këtyre ditëve në kampin fushor në Zhegoc.
Komandanti i FSK-së vlerësoi lartë punën e kadetëve në realizmin e ushtrimit dhe theksoi se: “Aktivitetet e juaja këtu kanë përparësitë por edhe sfidat, prandaj ju pas përfundimit do të dilni me të gjeturat rreth mësimeve të mësuara, kështu do të kemi mundësi të përkushtohemi në ushtrimet e radhës që mos të përsëritën këto mësime të mësuara.
Unë ju përgëzoj për punën dhe sukseset, e di që gjatë punës dalin edhe probleme dhe prandaj jemi këtu, për të parë nga afër punën tuaj. Këto aktivitete që po i zhvilloni tani në situatë paqeje kërkohet të jenë sa më reale, që në të ardhmen nëse paraqitet nevoja, të jeni të përgatitur të përballeni me sfidat”.
Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) gjeneral brigade Irfete Spahiu në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në vazhdimësi, ndau një mirënjohje për pjesëtarin FSK-së Rreshter Fadil Rashiti, i cili ka lejuar mbajtjen e këtij ushtrimi për vite me radhë në pronat e tij dhe të familjes së tij.
Kadetët për të pranishmit raportuan për angazhimin dhe demonstruan një ushtrim i cili u përcoll me interesim nga mysafirët e ftuar.