Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe Afrim Veseli, nënkolonel në Forcat e Sigurisë së Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për rregullimin e hapësirës së oborrit të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Batllavë, njofton Zyra për Informim në Komunën e Podujevës, transmeton Llapi.info.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – FSK ka marrë për obligim që ta mbështes Komunën e Podujevës në rregullimin e hapësirës së oborrit të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Batllavë.

Batalioni i Xhenios i FSK-së me makineri dhe personel do t’i realizojë punët xheniere në bartjen e materialit inert, mbushjen dhe nivelimin e oborrit të shkollës.

Ndërsa Komuna e Podujevës merr përsipër sigurimin e derivateve, të cilat do të shfrytëzohen në këtë projekt.

Kjo marrëveshje ka ardhur si rezultat i partneritetit dhe bashkëpunimit të mirë në mes Komunës së Podujevës dhe FSK-së në realizimin e projekteve të ndryshme, që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve./Llapi.info