Forca e sigurisë së Kosovës me 330 ushtarë, do të jetë pjesë e stërvitjes “Defender-Europe 21”, ushtrimet e së cilës në Kosovë do të zhvillohen nga 17 deri më 29 maj dhe arena e trajnimeve do të jetë në fshatin Babaj i Bokës në Gjakovë. Kosova është një prej 16 vendeve pritëse të “Defender Europe 21”, që është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga ushtria amerikane.
Në “Defender-Europe 21”, marrin pjesë 27 shtete me mbi 28 mijë ushtarë.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tregoi qëllimet kryesore të FSK-së si pjesëmarrëse e një stërvitje të tillë.
“Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë më 330 ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, dhe qëllimi kryesor dhe synimi jonë kryesor është ta bëjmë validimin e një kompanie të këmbësorisë, me qëllimin që edhe ne të jemi pjesë dhe të marrim edhe përgjegjësinë në të ardhmen që t’i validojmë njësitë tonë me njerëzit tanë në të ardhmen. Objektivat kryesore të këtij ushtrimi ‘Defender Europe 2021’, janë ngritja e zhvillimit dhe ndërveprueshmërisë me partnerët, validimi i aftësive të këmbësorisë, të një kompanie tanë, aftësimi i ekipeve tona për validim në të ardhmen, dhe ndërvepruehsmëria e inteligjencës në vendet partnere”, tha Rama.
Në një konferencë për media, gjeneral Rama bëri të ditur se tashmë mbi 95% e aktiviteteve janë koordinuar dhe nga 10 maji fillon ardhja e ushtarëve nga vendet partnere.
Ndërsa dislokimi i trupave do të fillojë prej 7 majit.
“Ushtrimi do të jetë i fokusuar në Aeroporti ne Gjakovës, trajnimet do të zhvillohen në Babaj të Bokës dhe do të jetë prej 17 deri më 29 maj. Do t’i njoftoj edhe qytetarët që gjatë kësaj periudhe kohore do të ketë lëvizje të automjeteve ushtarake, të ushtarëve, qoftë partnerëve, qoftë të FSK-së”, tha Rama.
Ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se pjesëmarrja e FSK-së në “Defender-Europe 21”, dhe fakti që është një prej 16 vendeve pritëse, dëshmon partneritetin e fuqishëm që ka Kosova me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo dëshmon partneritetin e fuqishëm me ShBA-në, vlerësimin e besimin e tyre përmes vendit tonë dhe mekanizmat tonë të sigurisë dhe mbrojtjes. Ushtrimi përqendrohet në ndërtimin e gatishmërisë operacionale ndërveprimit të forcës amerikane me një numër më të madh të aleatëve partner në një zonë më të gjerë operacionalisht”, tha Mehaj.
Mehaj tha se kjo stërvitje ka ndikim të jashtëzakonshëm në mjedisin e sigurisë rajonale dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Stërvitja Defender Europe 21, na ofron mundësinë më të mirë për arritur aftësitë tonë së bashku me ShBA dhe aleatët e partnerët e tjerë, në mënyrë që të jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo lloj krize. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje si vend partner i ShBA-së është ngjarje e rëndësishme që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, siguri dhe stabilitet rajonal e më gjerë”, tha Mehaj.
Sipas Mehajt, operacioni i përbashkët shumëkombësh fuqizon rrugën për anëtarësimin në NATO.
“Defender Europe 21”, është stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda në Evropë dhe ajo në Afrikë, e ushtrisë së shteteve të bashkuara të Amerikës.
Stërvitja synon të ngrejë gatishmërinë dhe të realizojë ndërveprim midis ushtrisë së ShBA-ve, NATO-s dhe ushtrive partnere, në mënyrë që bashkërisht të jenë të përgatitur për t’u përgjigjur ndaj çdo kërcënimi.
Trajnimi tashmë ka filluar në Shqipëri, që sivjet është vendi kryesor mirëpritës i kësaj stërvitje gjigante ushtarake.