Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka bërë të ditur se nga data 26 deri më 28 mars 2019, do të zhvillojë aktivitete stërvitore në kuadër të ushtrimit ‘Skifteri 03’ treditor, në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info
Ushtrimi do të bëhet në bashkëpunim me agjencitë civile të komunës për të testuar aftësitë dhe ndërveprimin e institucioneve në raste emergjente.
“Në këtë ushtrim, trupat e FSK-së, përkatësisht Batalioni i Tretë i Reagimit të Shpejtë, do të dislokohen nga kazerma në Mitrovicë në rajonin e Komunës së Podujevës, andaj konvojë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të shihen duke qarkulluar në rrugën magjistrale dhe lokale, dhe e tërë kjo do të bëhet me qëllim të stërvitjes dhe testimit të kapaciteteve dhe aftësive reaguese në ushtrim fushor të parapara sipas skenarit dhe planifikimit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu i njofton qytetarët e rajonit të Mitrovicës dhe të rajonit të Prishtinës, se në asnjë formë nuk do të cenohen liria e lëvizjes dhe pronat e qytetarëve.
“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Kuvendi Komunal i Podujevës kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që ushtrimi të zhvillohet me sukses dhe të mos ketë asnjë shqetësim te qytetarët e këtyre dy rajoneve”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, ushtrimi organizohet në ndërveprueshmëri të Batalionit të Tretë me njësi të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Komunën e Podujevës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Zjarrfikësit, Shërbimet Mjekësore Emergjente (SHME) dhe Kryqin e Kuq./Llapi.info