Nxënësit e shkollës fillore “Ali Ajeti” në Lladoc lëndën e Edukatës Fizike e zhvillojnë në kushte të mjerueshme. Fusha e futbollit ku ata zhvillojnë aktivitetet në orën e Eduaktës Fizike nuk i plotëson kushtet e një fushe normale. Ndërsa, askush deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta rregulluar atë.
Banorët e këtij fshati janë të shqetësuar për kushtet ku fëmijët e tyre i zhvillojnë aktivitetet e lëndës së Edukatës Fizike. Ata kërkojnë nga Ministria e Arsimit, Komuna e Podujevës apo ndonjë donatorë që ta rregullojë këtë fushë.
“Fusha e futbollit e shkollës ”Ali Ajeti” në fshatin Lladofc fatkeqësisht është në kushte të mjerueshme. Kërkojmë nga Ministria apo Komuna e Podujevës ose ndonjë donatorë që ka mundësi të ndihmojë në rregullimin urgjent të kësaj fushe. Mjerisht në këso kushtesh detyrohen nxënësit të mbajnë lëndën e edukatës fizike”, ka thënë një banor i fshatit Lladoc.
Ai ka shtuar se kjo shkollë është nën drejtimin e shkollës së fshatit Sfeqël dhe kjo mund të jetë arsyeja që shkolla e fshatit Lladoc ka mbetur në harresë.
Nga ana tjetër, arsimtarët e kësaj shkolle sipas pohimeve të drejtorit të tyre, kanë thënë se shkolla ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Podujevë për rregullimin e kësaj fushe dhe se kjo e fundit u ka premtuar se do të rregullohet kjo çështje.
Por, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku, ka thënë për Llapi.info se nuk është në dijeni se dikush nga kjo shkollë ka bërë kërkesë në drejtorinë e tij për rregullimin e fushës së futbollit prej kohës kur ky është bërë drejtor i arsimit.
“Prej kohës që unë jam drejtor nuk ka ardhur ndonjë kërkesë, ndoshta ka ardhur më herët. Por, nëse kanë bërë kërkesë, drejtoria e arsimit e ka problem me mjetet e komunës që të rregullojë një fushë, sepse kushton shumë”, ka thënë Maloku
Ai ka premtuar se do të dal dhe ta shoh gjendjen e kësaj fushe, për çka ka thënë se sot e ka pasur në plan që të dal në këtë pjesë dhe të shoh gjendjen e tyre./Llapi.info