Ish deputeti i LDK-së, njëherit ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Geci, në një prononcim ka demantuar ashpër pohimet e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demalijaj, ku sipas të cilit Brigada fantome “Hasan Prishtina”, për të cilën në aktakuzën nga prokurori Blakaj thuhet se është shpikë në vitin 2016, për komandant ka pasur Gani Gecin.
“Reagoj ashpër ndaj deklaratave të Shkumbin Demalis dhe të gjithë anëtareve të Komisionit shtetëror për fryrjen e listave të veteranëve”, ka thënë Geci.
Më tej, ai për “Bota sot”, ka zbuluar aplikacionin e mbushur nga ai, ku si dëshmitar, Geci ka thënë se i ka Sami Lushtakun dhe Sahit Jasharin.
“E publikoj për herë të parë aplikacionin që e kam mbushë në vitin 2013. Ky asht aplikacioni im i vulosur nga Selia e veteranëve ne Skenderaj dhe me dëshmitar Sami Lushtakun dhe Sahit Jasharin. Asnjeherë kurrë, kurrë asnjë aplikacion të asnjë ushtari nuk ua kam nënshkruar kurrë”, shprehet Geci për “Bota sot”.
Më tej, ai ka shtuar se ka qenë ushtar i Adem Jasharit dhe i asnjë komandanti tjetër.
“Unë kam qenë ushtar i Adem Jasharit dhe pas vdekjes se Komandantit Legjendar asnjëherë nuk i kam njohur si komandant këta komandantët e shpifur që kanë emëruar vetveten. Kam hy si ushtar në luftë kam dhe kam dal ushtar”, thekson Geci.
“Këta hajnat e listave të veteranëve le t’i arsyetojnë vetë ushtarët dhe të mos merren me emrin tim.. Këta e dijnë tanë sa ushtarë kanë qenë, po rrejnë. Kqyrjav kushtet ekonomike pas para se mu bë listat e veteranëve dhe pasi janë bë listat e veteranëve”, ka përfunduar për “Bota sot”, ish ushtari i UÇK-së, Gani Geci.