Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka akuzuar udhëheqësit e Policisë së Kosovës se janë vënë në shërbim të LDK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se përderisa vjedhjet, grabitjet, plaçkitjet dhe sulmet janë kthyer në lajme ditore, udhëheqësit e Policisë më shumë shqetësohen për imazhin e LDK-së se sa për sigurinë e qytetarëve duke bërë krahasime statistikore pa asnjë analizë të mirëfilltë.

Sipas Musliut, duke iu drejtuar Policia e Kosovës duhet të jetë garancë e mbrojtjes së rendit dhe ligjit dhe në të kujdeset për sigurinë e qytetarëve edhe nëse kryeministrat dhe partitë gabojnë.

Ky është postimi i saj i plotë:

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në shërbim të LDK-së.
Mjaftoi një reagim i yni për të vërtetuar se Policia e Kosovës, ashtu si shumica e institucioneve te tjera publike, është kapur nga LDK-ja.
Udhëheqësit e Policisë më shumë shqetësohen për imazhin e LDK-së se sa për sigurinë e qytetarëve. Bëjnë krahasime statistikore pa asnjë analizë të mirëfilltë. Harrojnë qe jemi në një vit jo të zakonshem.
Po e përsëris prap: siguria e brendshme nuk është as për së afërmi në nivelin e duhur.
Vjedhjet, grabitjet, plaqkitjet dhe sulmet janë kthyer në lajme ditore.
Se në çfarë niveli është siguria shtetërore, mjafton të kujtohen kontrabandistët, xhendarmeria dhe provokimet e shtetit serb që hyjnë e dalin si “n’bahçe të babës” për ti dhënë kësaj qeverie notën më të dobët nga të gjitha qeveritë e deritashme.
Ju që flisni në emër të Policisë po harroni që Policia nuk ka parti. Policia duhet te jetë garancë se edhe nese Kryeministrat dhe partitë gabojnë, ata do të jenë gjithmonë aty per te siguruar vendin dhe qytetarët. Politikanët shkojnë e vijnë.
Policia është e Kosovës. Larg duart nga Policia!