Nivelin e dijes së nxënë nga shtatori deri në muajin prill, mbi 300 mijë nxënës do ta testojnë këtë të shtunë.

Por, mesditën e së premtes, në shkollën “Ibrahim Rugova” të Podujevës, ende ishin në pritje të testeve, raporton KTV.

Hasan Lepaja, Drejtor i Sh.f. “Ibrahim Rugova”, shpreh brengën se shkaku i njoftimit të vonshëm, nuk kanë arritur të bëjnë përgatitjet e nevojshme, megjithatë beson se do të performojnë mirë, pasi që mësimdhënësit kanë qenë në dijeni se në këtë periudhë do të zhvillohet gara.

Por Almaz Gashi, nxënës në kl.II, “Qamil Batalli”, Prishtinë, është bërë gati për testin dhe nga e shtuna pret sukses të plotë.

Prindërit në Komunën e Prishtinës, përmes Këshillit të tyre, e kanë konsideruar si ngarkesë të paarsyeshme për fëmijët.

Por, nëna e Almazit, Arlinda Latifi, si edhe prindër të tjerë, nuk shohin diçka negative te testimi i njohurive të fëmijëve të tyre.

Megjithëse njoftimi për datën e testimit u bë i ditur vetëm gjatë të martës, aktiviteti, sipas Rexhep Hotit, Koordinator nacional, ishte planifikuar të mbahej në muajin prill.

Hoti bën të ditur se pjesëmarrja në gara nuk është obligative, derisa nuk ka komentuar qëndrimin e Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Mbështetje, aktivitetit i ka dhënë Këshilli i prindërve të Kosovës, por edhe SBASHK-u, derisa Ministria e Arsimit ka heshtur gjatë tërë ditës.

Në vitin 2020, koordinatori Hoti ka thënë se garat, në tri kategori, planifikohet të zhvillohen nga shtatori në dhjetor.

Por, sikur Këshilli i prindërve të Prishtinës, ngjashëm mendon edhe drejtori i shkollës në Podujevë, se këto gara do të duhej të ishin organizuar nga MASHT-i.