Aksidenti i rëndë automobilistik që ndodhi më 2 tetor në autostradën Prishtinë-Podujevë gjatë një gare ilegale, është bërë lajm edhe në mediat ndërkombëtare.

Uebfaqja “Autoevolution” sot ka shkruar për këtë garë ilegale duke përshkruar aksidentin e BMW-së së njohur E36 3 Series gjatë garës me Volkswagen Golf 4, që ishte fituesja e garës “Drag Race” të mbajtur sivjet në Kosovë.

Kjo faqe ka përmendur faktet se të gjithë duhet t’i dinë rreziqet nga këto aktivitete, por pavarësisht tyre disa adhurues të shpejtësisë ndjekin emocionet, transmeton Koha.net.

“Ata zgjedhin të ndjekin emocionet e tyre sikur të ishin fëmijë dhe i realizojnë ato, e që lehtë mund të shkojë në përplasje siç ajo që kemi këtu”, thuhet në përshkrim të një videoje nga ky medium.

“Autoevolution” ka publikuar dy video të këtij aksidenti të rëndë. Një nga to është nga një kamerë e Golfit që incizoi pamjen nga prapa.

Pamje nga ky aksident janë shpërndarë edhe në forumin “carbuzz”.

Kjo veprimtari është e sanksionueshme me ligj në Kosovë.