Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral major Stephen Osborn dhe Gjenerallejtënant Bashkim Jashari janë pajtuar për zbatimin e planit të përbashkët të bashkëpunimit 2025-2026 mes GK Iowa dhe FSK-së.

Me ftesë të veçantë të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në Kosovë po qëndron Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral major Stephen Osborn.

Ai po shoqërohet nga Rreshter Majori Komandues i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Matthew Strasser dhe delegacioni përcjellës, të cilët janë mysafirë të KOMFSK-së në kuadër të aktiviteteve të 25 vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë vizitës, Gjeneral Jashari priti në takim Gjeneralin Osborn ku e falënderoi për vizitën e delegacionit të tij dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm bilateral në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s.