Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ngushëlluar familjen e Fadil Vokrrit pas vdekjes së ikonës së futbollit shqiptar.
Ai tha se e kishin pritur të shtangur dhe të pikëlluar lajmin për vdekjen e tij, dhe se ikja e Vokrrit është humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij.
“Figurat e këtilla sikurse Fadil Vokrri, i cili me angazhimin e tij ka depërtuar jo vetëm në hapësirat gjithëshqiptare por edhe në Evropë dhe Botë, shumë vende ëndërrojnë t’i kenë, kurse ne krenohemi që e kemi pasur, dhe me pietet dhe xhelozi do ta kujtojmë”, shkruan Gashi.
“Ai me sukses ka udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës, duke kurorëzuar edhe në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, me anëtarësim në UEFA e FIFA”.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë të Gashit:
E nderuara familja Vokrri,
Lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, legjendës së futbollit shqiptar dhe personalitetit të madh, Fadil Vokrrit, e morëm të shtangur dhe të pikëlluar. Është shumë e vështirë dhe fjalët s’mund të përshkruajnë emocionin e ndjerë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne.
Ikja e hershme nga ne e Fadilit, është humbja më e madhe dhe më e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë e tij. Ne, kemi humbur si Kosovë një prej figurave të rëndësishme, nuk ka humbur vetëm Federata e Futbollit të Kosovës, e as sporti në Kosovë, por tërë shqiptarët anekënd Botës kanë humbur një legjendë, me të cilin jemi mishëruar dhe kemi gjetur veten tek ai kur shënonte gola e korrte fitore.
Figurat e këtilla sikurse Fadil Vokrri, i cili me angazhimin e tij ka depërtuar jo vetëm në hapësirat gjithëshqiptare por edhe në Evropë dhe Botë, shumë vende ëndërrojnë t’i kenë, kurse ne krenohemi që e kemi pasur, dhe me pietet dhe xhelozi do ta kujtojmë.
Ai, me angazhimin e tij, me një përkushtim të paepur ka bërë që emri i tij të jetë i gdhendur thellë në botën e futbollit duke tejkaluar dhe thyer çdo barrierë për të shndërruar veten në një yll që bota e futbollit do ta kujtojë dhe s’do ta harrojë kurrë.
Fjalët janë të varfra për ta shprehur dhimbjen dhe ngushëllimin. S’ka fjalë që e përshkruajnë një legjendë dhe pasur parasysh këtë si t’i themi lamtumirë një ylli. Ne edhe mund të pajtohemi me shuarjen e një ylli se s’kemi çfarë të bëjmë, por kurrë s’do të pranojmë që shkëlqimi i një ylli siç ka qenë Fadil Vokrri të shuhet e të humbasë. Kujtimi për të do të jetë përherë.
Ai me sukses ka udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës, duke kurorëzuar edhe në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, me anëtarësim në UEFA e FIFA.
Me kontributin e tij prej legjende, Fadili, ka bërë që të jetë i respektuar nga të gjithë përbrenda botës së futbollit dhe përtej saj. Fadili me punën e tij, si futbollist aktiv dhe më pas si kontribuues i madh në futbollin e Kosovës, ka bërë të të jetë i vlerësuar dhe fjala e tij të zë vend.
Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Fadil Vokrrit.
Sinqerisht,
Kujtim Gashi
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit