Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka obligim kushtetues që ta përfaqësoj Kosovën jashtë vendit.
Gashi në një konferencë për media u shpreh se Kurti ka shkuar në Bruksel pa e pyetur Kuvendin e Kosovës, dhe do të kthehet nga atje për të raportuar në aty.
“Kurti e ka detyrë kushtetuese që të përfaqësoj vendin jashtë, si dhe e ka detyrë kushtetuese që të merret me bisedimet me Serbinë. Jo Kurti si individ, por si kryeministër. Sa i përket deklaratave nga Brukseli janë të parakohshme që t’i komentojmë, në këtë situatë e rëndësishme është që ka sistem, i cili e obligon që ai nga kthimi i tij të raportoj në Kuvend. Kjo ka qenë kërkesë e VV-së me një rezolutë. Ai ka shkuar në Bruksel pa e pyet Kuvendin, e tash kur të kthehet duhet të raportoj në Kuvend dhe në vendin të tij”, ka thënë Gashi.
I pyetur për deklaratën e Kurtit se nuk ka marr ndonjë dokument zyrtarë nga ish kryeministri Avdullah Hoti, ai tha: “Hoti i ka dorëzuar Kurtit një dosje të plotë, dhe kjo është një prej arsyeve pse e ka prit në zyrë. Kurti po thotë të pavërteta në lidhje me këtë çështje, dhe këto të pavërteta do të dekonspirohen nga Hoti, pasi kam biseduar me Hotin dhe më ka dëshmuar se i ka dorëzuar të gjitha dokumentet. Ka një proces dorëzimi të nënshkruar. Kurti i ka të gjitha dokumentacionet, dhe nëse ka nevojë që të bëhen publike atëherë do t’i bëjmë publike, dhe ajo çka ka deklaruar është e pavërtetë”.