Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se koalicioni i tanishëm qeverisës ka marrë mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit edhe për largimin e tarifës 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
“LDK dhe VV qysh në fushatë janë deklaruar kundër tarifës 100 përqind për mallrat nga Bosnja Hercegovina dhe Serbia. Të sinqertë dhe të hapur në fushatë ne prezantuam taksën si një mjet joadekuat për arritjen e qëllimeve në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.
“Votuesit përforcuan idenë tonë dhe ata janë në favor të heqjes së tarifës dhe ruajtjes së marrëdhënieve me SHBA”.
Gashi nga seanca e Kuvendit ka thënë se kjo tarifë është përdorur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të prolonguar procesin e dialogut.
“Kurse diplomacia kosovare ka dështuar ta arsyetojë tarifën. LDK synon të bashkërendojë qëndrimet me aleatët tanë, veçanërisht me SHBA duke i njoftuar me pengesat që Serbia po ndërmerr ndaj Kosovës. Vlerësojmë se duke u ndodhur para paqartësive duhet të diskutojmë për modalitetet e konsensusit nacional, dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë dhe jo tarifën”.
“Bashkë jemi më të fuqishëm më të qartë dhe më të vendosur si palë negociuese. Konfrontimi do të rezultojë me dështim qoftë i brendshëm qoftë i jashtëm”.