Duke i komentuar deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë të LDK-së, të Lutfi Hazirit dhe të Vjosa Osmanit për qëndrime të ndryshme për shkëmbimin e territoreve, Agim Gashi zyrtar i LDK-së sot në një konferencë për media, ka thënë se përçarje në LDK nuk ka.
Çdo gjë për këtë çështje, sipas tij, mund të jetë individuale.
“Jo, nuk ka përçarje brenda LDK-së. në asnjë nivel institucional të LDK-së, qoftë në nivel dege, qoftë në nivel të strukturuarve qendrore të partisë, nuk ka asnjë përçarje. Mund të ketë mendime të ndryshme rreth temave të ndryshme, por përçarje nuk ka. Dhe çështjet individuale nuk mund të reflektohen në nivel partiak”, theksoi Gashi.
Këto komente, asamblisti i GP të LDK në komunën e Prishtinës i bëri në një konferencë për media kur foli për gjendjen aktuale të arsimit në komunën e Prishtinës.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe deputetja Vjosa Osmani që vijnë nga e njëjta parti, janë përfshirë në një debat të ashpër në rrjetet sociale për temën aktuale rreth mundësisë shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Haziri ka deklaruar se Lugina e Preshevës do të jetë Kosovë, ndërsa Osmani ka thënë se është kundër ndarjes së Mitrovicës.