Në sulmet e forcave izraelite në Rripin e Gazës të hënën vonë kanë rënë 24 dëshmorë, kurse 103 të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë sulmeve u godit një shtëpi në perëndim të Rripit të Gazës. Një nga martirët ishte një grua dhe një tjetër ishte një person me aftësi të kufizuara, tha një zyrtar nga ekipet e Mbrojtjes Civile për AA.
Një nga nëntë fëmijët që u martirizuan ishte një vajzë 10-vjeçare dhe të tjerët ishin djem të moshave të ndryshme, tha ministria.
Ushtria izraelite njoftoi fillimin e operacionit “Mburoja e Mureve” të hënën vonë kundër Rripit të Gazës.
Gjithashtu u njoftua se një sulm ajror ishte kryer në Rripin e Gazës, nga i cili shumë raketa janë gjuajtur në Izraelin jugor.
Tensionet kanë qenë të larta në lagjen Sheikh Jarrah të Kudist Lindor të okupuar që nga java e kaluar, kur kolonët izraelitë u futën pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.
Palestinezët të cilët u ngritën në protesta solidariteti me banorët e lagjes Sheikh Jarrah janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në 1980, një veprim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.