Gazeta prestigjioze “Süddeutsche Zeitung” ka shkruar për kosovarin Naim Gudaqi, i cili në Gjermani kishte migruar në vitin 1993, me idenë që të mbledhë një shumë parash e të kthehet në Kosovë për të vazhduar studimet në Mjekësi, por që ka përfunduar si shtetas gjerman sot e asaj dite, duke u zhvilluar dhe ngritur në karrierë në fushën e mjekësisë. Sot ai është shef i një ekipi prej 40 punëtorëve shëndetësorë në një klinikë në Mynih.
Gazeta gjermane shkruan se kur Naim Gudaqi, në vitin 1993, kishe shkuar në Gjermani qëllim kishte që të qëndroj vetëm disa muaj, të fitoj para dhe të kthehej në Kosovë për të vazhduar studimet. Por planet nuk kishin dalë kështu, pasi që situata politike në Kosovë ishte përkeqësuar dhe kishin nisur demonstratat e arrestimet masive.
Gudaqi, në atë kohë 22 vjeç, kishte mbetur në qytetin gjerman Shlesvig Holstein, ku kishte njoftuar një familje gjermane e cila i kishte ndihmuar atij që ta mësoj gjuhën gjermane dhe të punësohej si infermier në një spital psikiatrik.
“Kjo nuk ishte aspak e lehtë, nuk dija asnjë fjalë gjermane, por nuk kam hezituar asnjëherë. Mundohesha të komunikoj me këmbë e duar dhe mësoja aq sa mundja”, ka thënë Gudaqi për gazetën gjermane.
Më pas ai kishte kryer studimet për Infermieri. Dëshirën për t’u bërë mjek e kishte lënë për shkaqe financiare. “Ishte vendim i duhur”, thotë ai sot, sepse shumë shpejt e kishte kuptuar se në vazhdimësi do të munde të zhvillohej në profesionin e infermierisë. E, pa dyshim, e kishin ndihmuar edhe studimet në Mjekësi.
Sot në kartelën e tij identifikuese ai mban përshkrimin “Menaxher i Përgjithshëm i Qendrës Operative”. Si 48-vjeçar, Gudaqi tani është shef i një ekipi me 40 punëtorë dhe është përgjegjës për shumë çështje procedurale në klinikën e Schwabingut. Një punë me shumë përgjegjësi, shkruan gazeta gjermane, përcjell Periskopi.
“Gjëja më e vështirë në fillimet e mija ishte gjuha”, thotë ai duke menduar në retrospektivë. Kur kishte përfunduar trajnimet, ai kishte punuar në Hamburg si infermier, e më pas për “arsye dashurie” ishte vendosur në Mynih. Ishte bërë baba, më pas kishte marrë drejtimin e një reparti më të vogël në klinikën e Schwabingut, ndërsa në vitin 2009 ishte bërë menaxher i përgjithshëm. Thotë se i pëlqen të merret me procese më komplekse.
“Asnjëherë nuk është e njëjta ditë”, thotë ai. Ai punon me anesteziologë, kirurgë dhe mjekë të departamenteve të tjera, me pacientë të mitur e të rritur, duke e drejtuar ekipin e tij të madh prej infermierësh. Në Mynih thotë se ndjehet si në shtëpi, dhe me humor thotë se “vetëm fans i klubit futbollistik Bayern Mynih nuk kam mundur të bëhem kurrë”.
Kush e do një karrierë “duhet ta dojë profesionin që e zgjedhë”, thotë ai. Gudaqi ka punë me njerëz të sëmurë e të moshuar. Megjithatë, thotë se e ardhmja e brengosë atë.
“Kush do ta mendonte se shumë klinika gjermane do të duhej të mbylleshin në vitin 2018 si pasojë e mungesës së personelit shëndetësor”, ka thënë ai.