Shteti më i ri i kontinentit të Evropës ka lënë pas një luftë të përgjakshme. Kosovarët janë krenarë mbi atdheun e tyre dhe tepër mikpritës me turistët e paktë. Kosova të ofron një sharm të veçantë. Kush kërkon diçka aventurë, edhe këtë ta ofron Kosova.

Kështu ka nisur një artikull të vet, gazeta zvicerane Blick, ku si fakt i parë përmendet “eksporti” që ofron Kosova në “muzikën pop” me Rita Orën, pastaj përmendet “Ujëvara e Mirushes” që është një ndër peizazhet më spektakulare dhe të egra të Kosovës – në këtë pjesë të kanionit janë 16 ujëvara me 13 liqene të vogla që e përbëjnë pjesën më atraktive të kanionit. Më pas permendet fshati Artanë (Novobordë) që ka “Rrënojat e shekullit të XIII si në “Game of Thrones”, transmeton albinfo.ch.

Për të mos mbaruar këtu, fakte tjera që përmend media zvicerane janë edhe “Kultura e kafesë” në Kosovë, që është më e mirë se në Itali.

“Kurrkund nuk mund të shijosh më me dashuri kafenë e zezë si në vendin e vogël ballkanik”. Si fakt tjetër përmendet edhe ngjitja në majën e malit më të gjatë në botë Everest, të kosovares Uta Ibrahimi (34) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës që është ndërtuar në 1946.

Brezovicë

“Në rrugë drejt Evropës”

“Kosova dhe BE kanë një histori të pafat. Kosova kërkon që sa më shpejt të jetë e mundur të anëtarësohet në BE, por ajo nuk është njohur nga 5 prej 28 shteteve të BE. Eulex mundohet të ndihmojë strukturat kosovare për ndërtimin e shtetit ligjor – së bashku me Bellorusinë, Kosova është vendi i vetëm që ka nevojë për vizë për të udhëtuar në BE,” shkruan “Blick” për faktin e shtatë.

Në faktin e tetë, kësaj here përmendet qyteti perëndimor i Kosovës – Peja: që ka pranë manastirin e Deçanit dhe xhaminë e Bajraklive.

Në dy faktet e fundit nuk kishin si të mungojnë natyra përrallore e maleve të Kosovës. “Pista e skijimit në Brezovicë” mbi 2000 metra e lartë, disa sosh duheshin të shërbenin si ndihmëse për lojërat olimpike Sarajevë 1984 dhe në fund “Gjeravica: maja më e lartë e Kosovës“.

“Me 2566 metra lartësi mbi detare, Gjeravica është maja më e lartë e Kosovës – zyrtarisht. Pasi me matjet e fundit “Maja e Njerit” është për dy metra më e gjatë 2568m. Për më shumë shtigje të mrekullueshme malore, mund të vizitoni faqen hiking.njeri.net”, përfundon artikulli.