Nga Praga ku ishte vendosur si korrespodent i New York Timesit, për Evropën Lindore dhe Qendrore, Dan Bilefsky në shkurtin e vitit 2008, u nis për në Prishtinë.

I shqetësuar nëse do të arrinte në kohë për të raportuar, mes turmës së njerëzve, Bilefsky e kishte ndier veten me fat që kishte takuar një shqiptar që kishte ardhur nga New Yorku, i cili i gjatë tërë rrugës që i kishte ndihmuar për të arritur në kryeqytet, raporton KTV.

“Ka qenë ditë me shumë ngazëllim, emocione. Kujtoj njerëzit në rrugë me flamuj shqiptarë në duar, duke bërtitur nga veturat e tyre, pas gjithë asaj që shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur gjatë luftës, kjo ishte një ndjenjë e arritjes, e përmbushjes së fatit kombëtar. Ndieja se isha dëshmitar i shkrimit të historisë, dhe me të vërtetë, storja ime për pavarësinë e Kosovës doli në faqen e parë të New York Times, me atë shenjën e madhe të verdhë dhe kjo me të vërtetë ishte prekëse ta shihje”, ka thënë Dan Bilefsky, gazetar në New York Times.

Gazetari i cili njihet për shumë shkrime hulumtuese në Londër e New York, ka rrëfyer për KTV-në sfidën në mbulimin e ngjarjes të cilën e konsideron si pjesë të rëndësishme të karrierës së tij.

“Sfida më e madhe për të raportuar për pavarësinë e Kosovës ishte se në atë kohë dukej se pjesa veriore mund t’i ndahej Kosovës , njëkohësisht doja që New York Times të mbulonte po ashtu edhe zhvillimet në Beograd, pasi që kishte protesta dhe reagime nga nacionalistët serbë kundër pavarësisë dhe dukej se edhe ambasada amerikane do të sulmohej, pra ishte e vështirë të raportohej nga të dy vendet njëkohësisht”, ka thënë Bilefsky.

Duke përmendur se është emocionalisht i lidhur me Kosovën, thotë se do t’i pëlqente të kthehej në Prishtinë.

Bilefsky gjithashtu, gjatë kohës sa ishte korrespodent për Ballkanin, në vitin 2010 kishte hulumtuar vendndodhjen e Radko Mladiqit, i cili një vit pas ishte arrestuar.

Pas 28 vjetësh, ai është kthyer në qytetin e tij në Montereal të Kanadasë për të vazhduar punën si korrespodent i New York Timesit.