Sipas sajtit serb NIN dhe gazetares Tamara Spaiq, aktori Enver Petrovci kishte bërë deklarata mjaft të papranueshme politike pasi ishte kthyer nga festivali i mirënjohur “Mirëdita, Dobar Dan!” në një intervistë për të. Çka kishte thënë ai?
“Më vjen turp që jam gjallë,” – ishte titulli i një shkrimi mbi intervistën e NIN me Enver Petrovci, një prej aktorëve më të mëdhenj të Kosovës gjatë periudhës së paraluftës.
“…jam i bindur se në Ballkan nuk ka dy popuj më të afërt se ai shqiptar dhe ai serb. Shqiptarët nuk po ikin më nga Kosova se nuk kanë bukë, nuk po ikin se ka luftë, se po i detyron Millosheviqi apo Rankoviqi. Po ikin sepse kanë humbur shpresën…” – ishin fjalët e tij fillestare.
“Prishtina ka ndryshuar shumë, por Enver Petrovci jo…” – futej ndërkohë komenti i gazetës, derisa përshkruante edhe ndryshimet që ishin bërë në kryeqytetin e Kosovës.
Asgjë problematike deri këtu. Por, ajo që po vinte nga Petrovci ishte së tepërmi problematike.
“Një rom nga qyteti ishte më i afërt me mua se sa një shqiptar nga fshati”, – i kishte thënë ai gazetares Tamara Spaiq më 2019.
Mirëpo, fjalët e tij provinciale vijojnë më tej mes të cilave futen edhe të tilla që duket se shprehin ‘adhurim’ për diktatorin serb Sllobodan Millosheviq.
“Në çfarë rruge ecë sot elita qytetare në Prishtinë? Fshatarët e kanë kultivuar veten aq shumë sa nuk mund ta dish më se kush është fshatar e kush jo nga pamja e jashtme. Millosheviqi na modernizoi të gjithëve, ne pamë botën. Falemnderit përgjithmonë… Prandaj, e vlerësova Millosheviqin… fotografinë e tij e kam mbajtur gjithmonë dhe gruaja ime e ka hequr gjithmonë. Unë e vendosja, ajo e hiqte“, shkruan Nacionale.
Duhet të kujtojmë se Sllobodan Millosheviq ishte diktatori jugosllav që mbahet si përgjegjësi kryesor për vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës (por jo vetëm) gjatë viteve ’90.
Nuk dihet nëse Petrovci ishte distancuar më pas nga këto fjalë, por ato ndodhen ende në faqen e NIN – siç mund ta shihni më poshtë.
Nacionales i është thënë se këto komente të z. Petrovci mund të kenë pasur karakter sarkastik, megjithëse një gjë e tillë nuk thuhet në portalin NIN dhe nga autorja Tamara Spajiq.
Aktori Petrovci nuk ka mohuar se i ka thënë ato fjalë në një bashkëbisedim për gazetën Nacionale por se gazetarja Spajiq i kishte nxjerrë nga konteksti.
Ai tha se gazetarja “i kishte përmbledhur ato që kishte dashur vetë”.