Më 15 mars, llapjanët do t’iu drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme, derisa më 17 shkurt përfundon aplikimi për certifikim për pjesëmarrje në këto zgjedhje, njofton Llapi.info.
Përderisa partitë e mëdha ende s’i kanë emrat e kandidatëve për kryetarë të Komunës së Podujevës, ajo e Ballit Kombëtar tashmë e ka bërë të ditur emrin e të propozuarit.
Gazmend Islami është propozuar për kryetar të Podujevës nga kryesia e partisë së Ballit kombëtar në këtë komunë. Këtë e ka bërë të ditur këshilltari komunal nga radhët e këtij subjekti politik, Avni Islami.
“Kryesia e Ballit Kombëtar Demokrat dega në Podujevë, ka propozuar për kandidat për kryetar të komunës së Podujevës, Gazmend Islamin për zgjedhjet e 15 marsit! Por kjo mbetet në duart e Kryetarit Islami se a do ta pranoj Kandidaturën!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ndërkohë, zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020, pasi ish-kreu i Podujevës, Agim Veliu, ka marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeveri.
Për këto zgjedhje janë ndarë nga Komisioni Zgjedhor 491,517.00 euro për dy raunde, pra edhe për raundin e balotazhit nëse ka një të tillë./Llapi.info