75 deputetë të Parlamentit Evropian duan të dëgjojnë nga afër prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës.
Andaj, anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të këtij institucioni, në krye me David McAllister, e ftuan kryediplomaten Donika Gërvalla të flasë para tyre.
Fokus i këtij takimi, sipas ftesës janë marrëdhëniet me Serbinë.
Në njoftimin e MPJ-së thuhet se ministrja Gërvalla mbetet e përkushtuar ta çojë përpara agjendën evropiane të vendit, por nuk u dhanë më shumë detaje.
Por, paraqitja e fundit kryediplomates në Këshillin e Sigurimit nuk i ka lënë shije të mirë opozitës, pasi në fjalim foli shumë për krimin e korrupsionin. Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, thotë se para eurodeputetëve, Gërvalla duhet ndërruar qasjen.
“Të flasë në emër të Kosovës, për interes të Kosovës, e jo për partinë e saj apo për partinë që është në pushtët”, deklaron Bytyçi, njofton Klan Kosova. Ai thotë se, përveç integrimit evropian, duhet folur edhe për shëndetësi.
“Çështja e vaksinimit, të kërkojë ndihmë nga vendet e BE-së pasi që qeveria nuk po arrin t’i sigurojë vaksinat”, propozon ai.
Por ligjëruesi i shkencave politike, Dorajet Imeri, kërkon edhe angazhim më dinamik për njohjen e shtetit të Kosovës.
“Përafrimi me BE-në, jo vetëm liberalizimi i vizave, pastaj presioni i shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përmes deputetëve të këtyre vendeve të dërgohet kërkesa për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.
Para gjithë eurodeputetëve, më 10 shtator të vitit të kaluar kishe folur ish-kryeministri Avdullah Hoti, që kishte kërkuar largimin e regjimit të vizave për kosovarët.