Llapi dhe Drenica kanë barazuar me rezultat 3-3 në kuadër të xhiros së 24-të të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Llapi.info.
Llapjanët e nisën mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 3’ me anë të Bianor Neto. Nikoqirët realizuan edhe në minutën e 10’, por në anën e gabuar. Ishte Ardit Peposhi që shënoi autogol për t’i barazuar shifrat 1-1. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.
Pjesa e dytë solli edhe katër gola. Mysafirët nga Drenica kaluan për herë të parë në epërsi në minutën e 58’ me anë të Kreshnik Ukës.
Epërsia e tyre nuk zgjati shumë, pasi llapjanët barazuan 2-2 me anë të Ilir Krasniqit, kur po zhvillohej minuta e 68’.
Drenicasit arritën të realizonin edhe një herë në portën e llapjanëve. Ishte sërish Kreshnik Uka që realizoi për 2-3. Për rezultatin final 3-3 u përkujdes Alef Firmino që realizoi krejt në fund të ndeshjes.
Me këtë barazim, Llapi ka 40 pikë dhe pozicionohet në vendin e katërt në tabelë, ndërkohë që Drenica radhitet një pozitë më poshtë me 32 sosh./Llapi.info