Llapi është mposhtur bindshëm 5-1 nga Ballkani në ndeshjen e zhvilluar sot në Suharekë në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës së Kosovës, raporton Llapi.info.
Ekipi i Ismet Munishit e kreu punën në pjesën e parë, duke realizuar plot katër gola.
Nikoqirët e nisën mirë ndeshjen duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 5’, me anë të Jetmir Topallit.
Epërsia e ballkanasve zgjatë vetëm pesë minuta, pasi që Mërgim Pefqeli i Llapit barazoi shifrat në 1-1.
Super sulmuesi, Blendi Baftiu riktheu avantazhin për Ballkanin në minutën e 16’. Vetëm dy minuta më vonë, po i njëjti lojtar shënoi për t’i ngritur shifrat në 3-1.
Ballkani realizoi golin e katërt kur po zhvillohej minuta e 38’ e ndeshjes, pasi me lehtësi Ermal Krasniqi mposhti portierin e Llapit.
Serinë e golave e mbylli Artur Magani, i cili realizoi për 5-1 në minutat e fundit të ndeshjes.
Pas kësaj humbjeje, tashmë Llapi rrezikon të bie në zonën e kuqe të tabelës, pas përfundimit të javës së 29-të ka vetëm 39 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Ballkani kalon në vendin e dytë me 59 pikë të tubuara.
Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Flamurtarin, ndërsa Ballkani udhëton në Drenas për t’u përballur me Feronikelin./Llapi.info