Akuza dhe vërejtje të shumta janë hedhur në drejtim të DKA-së për gjendjen e arsimit në komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.

Këto kritika dhe vërejtje janë dhënë pas informatës së paraqitur nga DKA-ja për përfundimin e gjysmë-vjetorit të parë të vitit shkollor 2019/2020. Këshilltarët opozitarë të LVV-së dhe PDK-së kanë akuzuar komunarët edhe për punësime partiake, që sipas tyre, i bënë pushteti aktual. Të gjitha këto janë dhënë në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin e Komunës së Podujevës.

Sipas këshilltares së VV-së, Lirikë Maliqi, informata e DKA-së për këtë gjysmë-vjetor është e mangët, pasi që sipas saj, mungojnë të dhënat për mungesat e nxënësve, konkurseve dhe punësimeve.

“Me të shfletuar këtë informatë nga DKA, të dendur në sasi e bosh në përmbajtje mund të vërejmë që këtu mungojnë informacione shumë të domosdoshme. Shembull: mungesat e nxënësve, ku askund nuk ka ndonjë të dhënë lidhur me numrin e mungesave gjatë gjysmë-vjetorit të kaluar, pastaj mungojnë informacionet për stafin e shkollës, pra nuk dihet nëse ka pasur konkurse, a ka pasur të punësuar apo të pensionuar, apo e keni fshehur kur dihet se të gjitha konkurset në arsim bëhen në baza politike. Meqë jemi te stafi, a jeni në dijeni që ka punëtor teknik i cili punon deri në 12 orë brenda ditës”, ka theksuar Maliqi.

Maliqi ka përmendur edhe rastet që sipas saj, nxënësit detyrohen të paguajnë për fotokopjimin e testeve në mungesë të printerëve. Tutje ajo ka deklaruar se investimet kapitale s’i kalojnë as 10 për qindëshin. Edhe në këtë seancë, Maliqi s’e ka lënë pa e përmendur se Komuna ende s’ka bibliotekë të qytetit.

 “A jeni në dijeni ju si drejtor që nxënësit në shkolla fillore dhe jo vetëm, edhe pse pagesat janë të ndaluara me ligj, janë të detyruar t’i paguajnë me paratë e veta fotokopjimin e testeve sepse një mundësi të tillë nuk ua ofron shkolla në të cilën vijojnë mësimin. Investimet kapitale nuk i keni orientuar në përmirësimin e inventarit të shkollës, të ambientit dhe të sallave të sportit. Oborret e shkollave u ngjajnë fushave nëpër të cilat kullosin bagëtia. Nga 534,000 janë shpenzuar vetëm 31 mijë euro”, thotë ajo.

“Vlen të ceket që nuk ka asnjë informacion për KDSH, kush është zgjedhur? Me çfarë baze dhe çfarë kriteresh? A do të thotë kjo që kemi të bëjmë me preferencë personale të drejtorëve të shkollës? E aq më keq kur dihet që si komunë njihemi me përbërje prej pothuajse 100% të drejtorëve politikë. Nga të gjitha shkollat sa ka komuna jonë, pse nuk e fut si informatë sa psikologë i kemi nëpër shkolla, sa biblioteka i kemi nëpër shkolla, sa laboratorë dhe kabinete të informatikës kemi, sa salla të sportit i kemi?”, ka adresuar pyetje Maliqi.

Kritika të shumta ka dhënë edhe Pajtim Hodolli nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Madje, ai ka mëdyshje se të dhënat e paraqitura nga DKA-ja nuk përkojnë me rezultatet dhe sukseset e nxënësve.

 “Për të folur për nivelin e arsimit dhe parregullsitë në komunën e Podujevës është e lehtë, shembull janë shumë kuadro profesionale të cilët janë diskriminuar dhe nuk janë lejuar të bëhen pjesë e arsimit në Podujevë, e krejt kjo vetëm pse nuk kenë qenë pjesë e partisë që ka vendos për këto punësime”, thotë Hodolli.

“Rezultatet e dobëta në sukses janë pasojë, shkaku është se në DKA Podujevë bënë shumë shkelje ligjore dhe nuk i respekton udhëzimet administrative që janë obligative”, ka shtuar Hodolli.

Gjendjen tejet të keqe në arsim në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar Blerim Maçastena nga PSD-ja. Ky i fundit i ka përmendur edhe shkollat që kanë gjendjen e rëndë pasi që siç ka thënë ai mungojnë investimet.

“Nëse në vitin 2018 drejtor nuk keni pasë njohuri për objektet shkollore sepse vetëm sa pati marrë mandatin e drejtorit apo ushtrues detyre siç ke qenë, nuk mund ta arsyetoni veten në vitin 2020 se nuk i njihni objektet shkollore, madje ju duhet të dini për gjitha shkollat që janë në Llap, por nëse i njihni dhe nuk keni investuar në shkollat; në Bellopojë, Llugë, Gërdoc, Dumosh, Lladoc, Pollatë, Surdull, e shumë të tjera, atëherë është për keqardhje kjo punë. Si Komunë keni premtuar ndërtimin e shkollës në fshatin Dumosh, ju lus ta realizoni sepse banorët janë duke ju pritur. Për fund, ju kam dëgjuar më parë që keni thënë se kuadrot emërohen me profesionalizëm, por drejtor a ka mundësi të na tregoni çfarë profesionalizmi keni parë te drejtori i shkollës në Bradash që e keni emëruar para disa muajve”, ka thënë ai.

Kritika të shumta kanë dhënë edhe këshilltarët tjerë komunalë në lidhje me këtë pikë të rendit të ditës.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, Agim Blakçori, duke paraqitur informatën për gjysmë-vjetorin, ka thënë se periudha e parë e vitit 2019/2020 ka përfunduar më 30 dhjetor 2019.

“Bazuar në raportet e dorëzuara nga drejtorët e shkollave mbi suksesin e arritur në periudhën e parë të vitit shkollor 2019-2020, rezulton se suksesi më i lartë është në arsimin fillor, ku nota mesatare është 4.27, pason arsimi i mesëm i ulët me 3.27 dhe në arsimin e mesëm të lartë nota mesatare është 2.65. Nga kjo që u tha më lartë konkludojmë se nota mesatare në nivel komune në periudhën e parë të vitit shkollor 2019/20 është 3.39”, ka theksuar drejtori Blakçori.

Ai ka folur edhe për aktivitetet e planifikuara dhe të realizuara gjatë kësaj periudhe, për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, projektet kapitale, ku ka përmendur ndërtimin e shkollave, shumë renovime, ndërtimin e terreneve sportive, vendosjen e kamerave në disa shkolla.

“Në kuadër të projekteve kapitale për vitin 2019, veç jeni të informuar që kemi bërë përurimin e shkollës “Dituria” në fshatin Llapashticë e Poshtme. Gjithashtu shkolla “Emin Duraku” në fshatin Bajçinë po thuajse është në përfundim. Po ashtu, në vitin 2019 kanë filluar punimet edhe për ndërtimin e shkollës “Elfir Behrami” në fshatin Metehi e që do të vazhdoj edhe gjatë këtij viti dhe të përfundoj në vitin 2020, si dhe ka filluar të ndërtohet shkolla “Kadri Kadriu” paralelja në fshatin Llaushë të Poshtme”, ka theksuar Blakçori.  

Ai nuk i është përgjigjur secilit këshilltar në vërejtjet e parashtruara. Blakçori ka thënë se është i gatshëm secilit prej tyre t’ia ofrojë të dhënat edhe në zyrë./Llapi.info