Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është stabile, kurse rastet kriminale kanë shënuar rënie krahasuar me vitin 2014. Kështu u vlerësua në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) të Komunës së Podujevë, ku u shqyrtua edhe informata për rastet e kthimit dhe integrimit të qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në raportin e tij, komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, gjendjen e sigurisë e ka vlerësuar të qetë në përgjithësi.
Duke raportuar për veprimet e ndryshme kriminale, ai ka thënë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë regjistruar më pak raste kriminale në rajonin e përgjegjësisë që mbulon stacioni policor i Podujevës.
Edhe përfaqësuesi i KFOR-it, duke e vlerësuar situatën e sigurisë të qetë, tha se komuna e Podujevës për KFROR-in është komunë model për sa i përket bashkëpunimit mes institucioneve, veçmas në fushën e sigurisë.
Ndërsa, kryetari i Komunës, Agim Veliu, u shpreh i kënaqur me gjendjen e sigurisë në Podujevë, kjo për faktin se Podujeva vlerësohet njëra ndër komunat më të qeta në vend.
Veliu falënderoi anëtarët e KKSB dhe institucionet të cilat përfaqësonjnë ata. “Falë punës dhe angazhimit tuaj në komunën tonë mbretëron kjo situatë e mirë e sigurisë. Unë shpreh përkushtimin tim të plotë për vazhdim të bashkëpunimit në mënyrë që situate e sigurisë në komunën tonë të jëtë edhe me e mirë”, ka thënë Veliu.
Për gjendjen e personave të riatdhesuar dhe masat të cilat i ka ndërmarrë Komuna e Podujevës, përkatësisht Zyra për Komunitete dhe Kthim foli shefi i kësaj zyre Liman Zeqiri.
Ai tha se ZKKK në Podujevë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) po angazhohen për lehtësimin e procedurave për kthimin dhe integrimin e qytetarëve, qoftë ata që kanë migruar më herët, apo ata të cilët migruan ilegalisht vitin që shkoi.
” Zyra për Komunitete dhe Kthim, përkatësisht Komisioni për strehim regjistron personat e kthyer, kurse ato të dhëna i përcjell tek Komisioni Qendror për strehim dhe në bashkëpunim me të ofron asistence dhe mbështetje për riintëgrimin e personave të kthyer”, ka thënë Zeqiri
Në bazë të të dhënave që posedon kjo zyrë në Podujevë janë kthyes 126 familje që migruan fundvitin që shkoi me 331 anëtarë, mirëpo ka edhe të atillë që janë kthyer, por nuk janë lajmëruar.
Në fund KKSB në Podujevë u bëri apel të gjithë atyre që migruan ilegalisht vitin që shkoi të kthehen në vendin e tyre, ngase ata kanë braktisur shtëpitë dhe pronat, kurse fëmijët e tyre kanë braktiur shkollimin.
Madje ka raste kur personat që kanë migruar kanë braktisur edhe vendin e punës.
Për të gjithë këta Komuna e Podujevës, varësisht nga mundësitë e saja buxhetore, do të ndihmojë në forma të ndryshme për ri-integrimin e tyre.