Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe ka apeluar që gjatë muajve të verës, në sezonin e ahengjeve familjare, qytetarët të përmbahen nga të shtënat me armë, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.
Në mbledhjen e rregullt, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, i kryesuar nga kryetari, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë dhe ka iniciuar aktivitetet për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike, si dhe është informuar me Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020,të Zyrës së Kryeministrit – Zyra për Planifikim Strategjik.
Sipas njoftimit, Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës për periudhën raportuese janar-maj e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.
Bislimi, në kuadër të aktiviteteve të policisë, përmendi edhe disa aksione të policisë në bashkëpunim me organet komunale për parandalimin e operimit të taksive ilegale dhe operimit pa licenca të motoskafëve në Liqenin e Batllavës. Komandanti i Stacionit Policor gjithashtu potencoi edhe rastin e identifikimit dhe zbulimit të akterëve të demolimit dhe dëmtimit të shkollës në Dobërdol.
Në mbledhjen e sotme , ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e KFOR-it, u diskutua edhe për sensibilizimin dhe inicimin e aktiviteteve për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike. Lidhur me këtë çështje komandanti i Stacionit Policor tha se edhe sivjet, që nga fillimi i muajit qershor, është duke u implementuar projekti “Festo me zemër e jo me armë”. Ai tha se policia do të jetë shumë rigoroze dhe nuk do të tregojë aspak tolerancë ndaj atyre që do të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve duke shtënë me armë.
Me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe njoftimit për rrezikun që paraqesin të shtënat me armë, në takim u tha se edhe sivjet duhet të mbahen takime me qytetarë, pronarët e objekteve hoteliere ku organizohen dasmat dhe ahengjet si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera.
KKSB në takimin e sotëm u njoftua edhe me Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020,të Zyrës së Kryeministrit – Zyra për Planifikim Strategjik dhe caktoi grupin për hartimin e Planit të veprimit komunal për implementimin e Strategjisë./Llapi.info