Gjendja në Veri të vendit po shkon drejt përshkallëzimit.

Kështu pohoi për “Gazeta Blic” profesori universitar, Nexhmedin Spahiu.

Spahiu tutje tha se mbetet të shihet se kush do të dal fitimtar nga kjo betejë.

“Sigurisht që do të përkeqësohet gjendja në Veri me vetë faktin që serbët janë tërhequr nga të gjitha institucionet. Se kush do të dalë fitimtarë nga kjo betejë mbetet të shihet. Por që gjendja po shkon drejt përshkallëzimit, kjo është mesë e qartë” deklaroi Spahiu për “Gazeta Blic.

Edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Dorajet Imeri, paralajmëron tensionim të gjendjes në Veri të vendit.

Imeri tha se çdo ndërhyrje evntuale e Policisë së Kosovës do ta përkeqësonte më tej situatën.

“Situata në Veriun e Kosovës sigurisht që nuk është më e mira dhe serbët duke qenë të instrumentalizuar nga Beogradi mund eventualisht të tensionojnë edhe më tej situatën atje.

“Çdo ndërhyrje eventuale e Policisë së Kosovës do të mund të eskalonte të gjithë situatën dhe prandaj prania e njësiteve të veçanta sidomos e karabinierëve italianë tregohet se sido që të jetë Bashkësia Ndërkombëtare në rastin tonë KFOR-i është shumë i interesuar që siguria të mbretërojë në çdo pjesë të territorit të Kosovës”

“Kjo nuk mendoj se do të përcillet me ndonjë hap eskalues në të ardhmen, së paku jo në atë të parashikueshmen, prandaj çfarë është e rëndësishme të dihet tash se situata sido që të jetë po monitorohet me kujdes të shtuar për shkak të zhvillimeve të fundit” deklaroi Imeri për “Gazeta Blic”

EULEX ka njoftuar se dje një Njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ky institucion thotë se NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, “nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme”.

“NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti”.
NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme.
“Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet në njoftim raporton Gazeta Blic.