Rruga “Fitorja” në fshatin Letanc të Podujevës tash e sa kohë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, raporton Llapi.info.
Banorët e kësaj ane ankohen se kështu ka qenë prej shumë vitesh. Ata thonë se përveç që nuk është e asfaltuar edhe deponitë ilegale janë prezent në këtë rrugë.
“Siç po e shihni edhe vet gjendja këtu është e rëndë, s’ka asfalt e bërllok plot. Këtu jemi të rrezikum prej këtyre mbeturinave, prej erës së keqe” tha një banore për Llapi.info
Kurse H.H një tjetër banor i po kësaj ane tha se kjo gjendje e rëndë është që një kohë të gjatë. Ai shtoi se rruga kur ka të reshura është e pakalueshme.
“Kjo rrugë dhe ky bërllok është që një kohë të gjatë. Kur ka shi e borë prej lloçi nuk mundemi me dal. Jemi të rrezikum prej bërlloku prej erës së pakëndshme, edhe nga qentë endacak, tërë kohën këtu te mbeturinat rrinë” tha mes tjerash ai.
Mirëpo, sipas Shefit të Zyrës për Informim në komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, në këtë rrugë do të nisin punimet.
“Do të fillojmë punimet edhe në atë rrugë. Së pari do të shtrohet zhavori e pastaj edhe fillohet me asfaltim.” tha ai.
Kurse, për deponitë ilegale me mbeturina në këtë pjesë, Elezi tha se deri në fundjavë do të zgjidhet kompania kontraktuese për zhdukjen e deponive ilegale.
“Sa i përket deponimeve ilegale, deri në fundjavë do të zgjidhet kompania e pastrimit e cila bën zhdukjen e deponimeve në këtë pjesë dhe në lagje tjera të qytetit të Podujevës” tha Elezi./Llapi.info