Një delegacioni prej 50 anëtarësh nga Iowa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po qëndron në Kosovë.
Delegacioni i kryesuar nga Zach Nunn, përfaqësues në Komitet për Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Iowa dhe Timothy Orr, gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowa-s, zhvilluan takime në Kuvendin e Kosovës, me kryetarin e këtij institucioni, Kadri Veseli si dhe me disa komisione parlamentare.
Veseli tha se Iowa ka luajtur rol të rëndësishëm në gjithë procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
“Në këtë sallë para 10 vitesh, Kosova, shtëpia e juaj e dytë, shpalli pavarësinë e vet. Historia e pavarësisë që sjell 17 shkurtin e vitit 2008 është plot dhimbje e lavdi për popullin tonë, janë më shumë se 100 vjet përpjekje e brezave për liri e pavarësi, një ideal që nuk u shua për asgjë”, theksoi Veseli gjatë një fjalimi para këtij delegacioni.
Shteti i Kosovës është realitet, theksoi Veseli, sipas të cilit, për një dekadë pavarësi dhe dy dekada liri, Kosova ka bërë hapa gjigantë në konsolidimin e institucioneve të qëndrueshme.
“Po ndërton gradualisht një shtet ligjor ku secili qytetar është i barabartë. Këto nuk janë vetëm meritë e jona, janë kontribut i miqve tanë ndërkombëtarë, është kontribut i secilit prej jush që na keni ndihmuar për arsim cilësor, ushtri profesionale”, theksoi Veseli.
Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit nga Iowa, Zach Nunn rikujtoi angazhimin dhe ndihmën e Iowa-s për Kosovën. Ai tha se ky bashkëpunim duhet të jetë i përhershëm.
“Është mirë kur shoh se sa keni përparuar. Ne duam të jemi partner i juaj. Kosova ka bërë partneritet me ne dhe se ne kemi edhe konsullatën tuaj atje me çka janë vendosur marrëdhëniet edhe më të forta reciproke”, tha Nunn. Ai sqaroi se nga delegacioni prej 50 anëtarëve që po vizitojnë Kosovën, shumica kanë ardhur me vetëfinancim me dëshirën që bëjnë diçka në të mirë të Kosovës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Ndërkaq, Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas, tha se Kosova ka qenë pjesë e bashkëpunimit me Iowan edhe më përpara se të fillojë partneriteti në mars të vitit 2011. Ai shprehu kënaqësinë që ka pasur rastin të jetë në Kosovë që nga paslufta.
Ai tha se për shtatë vite të partneritetit dhe bashkëpunimit me FSK-në, është ecur shumë përpara. Partneritetin me Kosovën, Orr e konsideroi më të mirin nga 77 partneritete sa ka Iowa në gjithë botën.
“Zemra ime do t’i takojë çdo herë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, theksoi gjenerali Orr.
Në takim folën edhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit nga Iowa, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së vendit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen.
Delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka në agjendë edhe vizita e takime tjera me përfaqësues dhe institucione të Kosovës.