Në ditën kur grupi parlamentar 6 + ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj që ta shkarkojë Gjergj Dedajn, kryetar i Partisë Liberale nga posti i zëvendësministrit, për shkak të disa deklaratave në lidhje me Turqinë dhe Serbinë, ai shpërblehet me një post më të rëndësishëm.
Kështu së paku shkruan Gazeta Blic, medium i cili thotë se ka siguruar propozimin e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ku i propozohet Komisionit për Punë të Jashtme, që Dedaj të procedohet si ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni.
Në këtë kërkesë, ndër të tjera thuhet se Dedaj i plotëson të gjitha kushtet ashtu siç edhe parasheh ligji në fuqi.
Pos Dedajt, Gazeta Blic ka marrë vesh se në shërbimin diplomatik do të sistemohet edhe anëtari i PDK-së, dhe njëherit ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Sipas kërkesës së ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Kastrati është propozuar që të shkoj si ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni.
Burimet e këtij portali bëjnë të ditur se opozita po e kundërshton procesin e emërimit të këtyre ambasadorëve, për shkak se është tejkaluar norma sa i përket njerëzve politik, në shërbimin diplomatik të Kosovës.
Ndërkaq, deputetët e Grupit 6+ kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj që deri në fund të javës ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.
Në kërkesën e deputetëve të Grupit 6+ thuhet se Dedaj ka fyer, ofenduar dhe nënçmuar komunitetin turk.
Theksojmë se Zëvendësministri i Punëve të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Gjergj Dedaj ka shkruar se Turqia dhe Serbia janë “shtriga të Ballkanit” dhe synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre.