Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, të dielën përmes një postimi në Facebook, i kishte quajtur Turqinë dhe Serbinë “Shtriga të Ballkanit”. Pasi sipas tij, këto dy shtete po synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre.

E postimi i Dedajt në Facebook, bëri bujë të madhe, madje komuniteti turk në Kosovë, kishte kërkuar që Dedaj të shkarkohet nga posti i tij.

Mirëpo, Dedaj nuk i ka rënë pishman për deklaratat e tij, ai sot në një postim tjetër në Facebook, ka thënë se Turqia dhe Serbia përplot 6 shekuj kanë qenë sundimtarët më të egër dhe pushtuesit më barbarë të popullit shqiptar.

“Edhe njeherë: Turqia dhe Serbia, perplote 6 shekuj kane qene sundimtaret me te eger dhe pushtuesit me barbare e popullit shqiptare! Ata kane bere krime dhe gjenocid ne keto troje. Turqet dhe Serbet e tashem te Kosoves nuk duhet te ndjehen krenare per ate kohe, por duhet te distancohen nga ajo kohe dhe nga ato krime barbare”, ka shkruar Dedaj.

Po ashtu, Dedaj ka thënë se ai do të vazhdojë të bëjë deklarata të tilla, për kohën gjashtëshekullore të sundimeve dhe se nuk do të merret me turqit dhe serbët që e gjykojnë atë pushtim dhe janë qytetarë të barabartë të Kosovës.