Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë ka notën mesatare më të mirë në gjysmëvjetorin e parë krahasuar me dy shkollat e tjera të mesme në Podujevë, njofton Llapi.info.
Nota mesatare në gjysmëvjetorin e parë në gjimnaz sipas drejtorit të kësaj shkolle është 3.58. Por, mesatare të ndryshme për këtë shkollë ka dhënë Drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, sipas të cilit nota mesatare në gjimnaz është 3.38.
Mesataret e të dy shkollave tjera të mesme në Podujevë janë më të ulëta në krahasim me gjimnazin. Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” me 1.86, ndërsa Shkolla e Mesme Teknike “Fan S. Noli” 1.58.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, në të tri shkollat sipas Avni Malokut ka një ngritje. Në gjimnaz prej 0.38, në shkollën ekonomike 0.21, dhe në shkollën teknike 0.26.
Mirëpo, pavarësisht kësaj ngritjeje, Drejtori i Arsimit, Avni Maloku, nuk është i kënaqur me mesataren e arritur.
“Krahasuar me periudhën e vitit paraprak është një lëvizje e lehtë e suksesit. Nuk jam i kënaqur me sukses, por me krahasuar me nxënësit që e kryejn shkollën e mesme të ulët dhe me krahasuar me sukseset e fundit të vitit shkollor ndihem mirë që ka lëvizje pozitive”, ka thënë Maloku për Llapi.info
Nota mesatare prej 3.58 sipas drejtorit të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, Naim Salihu, ka ardhur si rezultat i asaj që nxënësi tani është në qendër të aktiviteve mësimore dhe ulja e numrit të nxënësve për klasë.
“Nxënësi tash është në qendër. Krejt aktivitetin e zhvillon nxënësi. Tani janë 32 nxënës për klasë, nuk është sikur më herët që ka qenë numri më i madh. Mësimi zhvillohet në grupe, dhe konkursi për pranimin e nxënësve ka qenë më kritere”, ka thënë Salihu për Llapi.info.
Për dallim nga Maloku, Naim Salihu ka thënë se këtë vit kalueshmëria e nxënësve është rritur për 10%. Ai ka thënë se këtë vit kalueshmëria ka qenë 72.6%, ndërsa në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2014 kalueshmëria ka qenë 60%.
Sipas Salihut, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” është në mesin e gjimnazeve më të mira sa i përketë notës mesatare.
Në një informatë për gjendjen e arsimit që kishte nxjerr Drejtoria e Arsimit në Podujevë ditë më parë, thuhet se nota mesatare në gjysmëvjetorin e parë në tri shkollat e mesme të Podujevës në nivel të përgjithshëm është 2.24./Llapi.info