Edhe pse ekziston një rregullore në cilën thuhet se nxënësve u ndalohet përdorimi i telefonave brenda objektit shkollor, për disa nxënës të Gjimnazit “Aleksadër Xhuvani” në Podujevë një gjë e tillë nuk vlen.

Përveç se përdorin telefonat e tyre për manovrime të ndryshme, ata këto mjete teknologjike po i shfrytëzojnë edhe për të transmetuar drejtpërsëdrejti profesorët e tyre në rrjete të ndryshme sociale, shkruan Llapi.info

E kjo, shihet qartë në disa fotografi dhe video të cilat Llapi.info posedon ku, disa profesorë teksa janë duke e zhvilluar një orë mësimore transmetohen drejtpërsëdrejti. E gjithë kjo ndodhë pa vetëdijen e tyre.

Lidhur me këtë çështje, Drejtori i kësaj shkolle, Naim Salihu, tha se shpeshherë po kemi probleme me keqpërdorimin e teknologjisë dhe se për këtë duhet punuar që të kemi një rregullore e cila specifikon më qartë se kur një nxënës duhet ta përdor apo jo telefonin e tij.

“Ne si institucion arsimor, dhe që teknologjia është në kulminacion të zhvillimit të saj, shpeshherë po kemi raste kur po keqpërdoren mjetet e teknologjisë sonë. Ne si institucion arsimor në bashkëpunim me drejtorinë komunale të arsimit duhet të hartojmë një rregullore e cila ka të bëj me këtë çështje që e precizon qartë që nxënësi në momentin që hyn në objektin shkollor është i obliguar ta fikë telefonin, të mos e përdorë atë, në të kundërtën ndaj atyre nxënësve të merren masa disiplinore” tha Salihu.

Sipas tij, edhe pse ekziston një nen i kësaj rregulloreje për ndalimin e përdorimit të telefonit kjo nuk mjafton pasi që rregullorja është gjithëpërfshirëse.

“Për momentin rregullorja është e përgjithshme ku thotë në një nen që duhet të ndalohet telefoni dhe përdorimi i tyre mirëpo, nuk është i precizuar qartë se në cilat raste. Unë shpresoj që në të ardhmen duhet të jemi ata që duhet ta bëjmë edhe njëherë po e them harmonizimin e rregullores edhe me shkolla tjera në mënyrë që masat të jenë unike për të gjitha shkollat” tha ai.

Ndërsa, profesori i lëndës së Gjeografisë në këtë shkollë, Patriot Rudari, tha se përdorimi i telefonit është i pa lejueshëm në orët mësimore përveç në ato raste kur ata mund të përdoren për mësim.

“Përdorimi i telefonit është i pa lejueshëm por, nëse ata e përdorin atë për mësim atëherë ata mund ta shfrytëzojnë atë edhe brenda orës mësimore” tha ai.

Edhe disa nxënës të kësaj shkolle i dënojnë veprimet e kolegëve të tyre. Ata thonë se e gjithë ajo çfarë mund të bëjmë ndaj profesorëve, është respekti.

“Po mendoj që nuk është veprim i mirë. Nëse dikush nuk mson aq, e pakta qe duhet me pas është respekti ndaj profave. E nëse ndonjë profesor apo shok a shoqe pajtohet me u incizu atëherë n’regull po kur dikush transmetohet drejtpërsëdrejti pa ditë sen është keq” tha një nxënës i kësaj shkolle.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kohë më parë kishte hartuar një udhëzim nëpërmjet të cilit ndalon përdorimin e telefonave në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme./Llapi.info