Foto: Llapi.info

Drejtoria e Administratës në Komunën e Podujevës u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj Komune që t’i regjistrojnë familjarët e tyre, në të kundërtën do të gjobiten, raporton Llapi.info

Në dokumentin e lëshuar nga kjo Drejtori thuhet se ka filluar zbatimi i dispozitave ligjore që parasheh Ligji për Gjendjen Civile. Sipas njoftimit, në kuadër të këtij ligji parashihen edhe gjobat për mosregjistrimin sipas afateve të përcaktuara të lindjeve dhe vdekjeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Komuna e Podujevës ka vendosur që në periudhën kohore nga data 21 mars deri 30 prill 2019 të pranoi kërkesat për regjistrimet e mëvonshme pa aplikuar gjobat që parashihen me ligj. Ndërsa prej datës 02 maj do të fillohet me aplikimin e gjobave sipas ligjit në fjalë. Ftojmë gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës që të shfrytëzojnë këtë afat kohor dhe t’i regjistrojnë familjarët e tyre”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, për informata shtesë mund të drejtoheni në zyret e Gjendjes Civile në Komunën e Podujevës./Llapi.info