Një rast shqetësues i përdorimit të armës është raportuar në fshatin Zllash të Prishtinës, ku në rrethana ende të paqarta është shtënë me armë zjarri dhe janë dëmtuar shenjat e trafikut.
Ngjarja është raportuar pasi një polic, siç merr vesh Gazeta Sinjali, duke kaluar në zonën e Zllashit, ka vërejtur se disa shenja të trafikut ishin dëmtuar nga goditje që dyshohet të jenë shkaktuar nga predha arme.
Pas raportimit të rastit, njësitet policore dhe ato të hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhjetëra gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.
Të gjitha provat materiale janë konfiskuar nga Policia për ekzaminim të mëtejshëm, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë të dyshuar të identifikuar.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për ngjarjen dhe ka udhëzuar që rasti të procedohet si “Përdorim i armës”.
Hetimet janë duke vazhduar për zbulimin e rastit.