I dënuari për terrorizëm në Kosovë, Sllobodan Gavriq është liruar me kusht nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Gavriq ishte arrestuar në Prishtinë në vitin 2014 pasi që ishte kapur me 12 kilogramë eksplozivë duke planifikuar një sulm terrorist në kryeqytetin e Kosovës.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se serbi Gavriq pak javë më parë ishte liruar me kusht nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Pasi iu dha ky vendim, Indeksonline mëson se në rastin e parë Gavriq ka tentuar arratistjen për në Serbi.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se serbi i dënuar për organizimin e sulmit terrorist është arrestuar në Merdare.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, një polic ka vërejtur se personi që tentoi daljen nga pika në Merdare ka qenë pikërisht Gavriq.
Nuk dihet ende nëse Gavriq kishte dokumente të rreme apo ka tentuar arratisjen me pasaportën personale.
Gavriq tani po mbahet në burgun e Dyzit deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Sllobodan Gavriq kishte hyrë në Kosovë në muajin dhjetor të vitit 2014, ku dhe kishte qëndruar në hotelin “Grand”. Ndërkaq, deri sa po lëvizte në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, policia e kishte ndalur dhe kontrolluar veturën e Gavriqit “Renault Clio”, me ç’rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.
Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit, ku në muajin dhjetor të vitit 2014 në Beograd, është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 kilogramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.